Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prokurori i shtetit dhe Policia e Kosovës përmes operacionit policor ‘FSHESA’ liron disa prona të uzurpuara

Me 20 maj 2016, Prokurori i Shtetit, Prokuroritë Themelore dhe Policia e Kosovës pas hetimeve të kryera dhe grumbullimit të provave materiale, përmes planit operacional të koduar me emrin ‘FSHESA’, kanë ndërmarr veprime konkrete për lirimin e disa pronave publike të uzurpuara në dy rajone të Kosovës.

Operacioni i parë është realizuar me urdhëresë të Gjykatës  Themelore në Ferizaj, ku janë liruar tri lokale afariste, të uzurpuara në mënyrë të kundërligjshme .

Të  gjitha  këto prona të cilat kanë qenë të  uzurpuara deri më tani, me urdhër të gjykatës kompetente i  janë  nënshtruar  procesit të sekuestrimit.

Me  vendim të  Prokurorisë  Themelore, Departamenti i  Krimeve të Rënda  ndaj të dyshuarit është  ngritur  kallëzim penal për  veprën penale  “uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme” neni 332–KPRK-së dhe procedohet  në  procedurë të rregullt.

Ndërsa operacioni i dytë është realizuar me urdhëresë të Gjykatës  Themelore në Mitrovicë, ku është arrit të lirohen dy objekte të uzurpuara, në dy lokacione të ndryshme, njëra në qytetin e Vushtrrisë dhe tjetra në qytetin e Mitrovicës.

Pas lirimit të pronave, në konsultim dhe me vendim të prokurorit kompetent  edhe në rastin e dytë është iniciuar rast penal ndaj personit të dyshuar.

Në të dy rastet procedura penale kundër uzurpatorëve do të zhvillohet më tutje pranë gjykatave kompetente.

Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës informon opinionin se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe se mbesim të përkushtuar për sundim të ligjit dhe rendit në Republikën e Kosovës.