Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryeprokurori Lumezi priti në takim ambasadoren e Holandës në Prishtinë, e cila ofroi mbështetje për sistemin prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 13 qershor 2016 – Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në një takim pune, ambasadoren e Holandës në Prishtinë, Gerrie Willems.

Gjatë këtij takimi kryeprokurori Lumezi, e njoftoi ambasadoren Willems me efikasitetin e sistemit prokurorial, duke theksuar se prokurorët  e Shtetit janë të vendosur  dhe të gatshëm që të kontribuojnë  në forcimin  e sundimit të ligjit, si dhe të ndërgjegjshëm për t’u përballuar me sfidat që i ka sistemi prokurorial, duke  shpresuar se në këtë drejtim do të vazhdoi përkrahja e partnerëve ndërkombëtarë, me të cilët tashmë është ndërtuar bashkëpunim i mirëfilltë në realizimin e obligimeve ligjore.

Kreu i Prokurorit të Shtetit, pohoi  se është i përkushtuar në rritjen e efikasitetit në gjithë sistemin prokurorial, në luftën më efikase kundër krimit të organizuar, korrupsionit, si dhe veprave tjera penale, duke shtuar se për këtë qëllim është themeluar edhe Njësiti për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme, në kuadër të Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Kryeprokurori Lumezi njoftoi ambasadoren Willems se qëllimi i themelimit të këtij njësiti është zvogëlimi i numrit të pazgjidhur të lëndëve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, rritja e efikasitetit të punës, ngritja e nivelit të bashkëpunimit, ngritja e kapaciteteve, duke përfshirë specializimin e prokurorëve dhe rregullimi i llogaridhënies. 

Mes tjerash, gjatë këtij takimi është biseduar edhe për bashkëpunimin në mes Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve tjera të zbatimit të ligjit, për koordinim të veprimeve për luftën kundër korrupsionit, si dhe për bartjen e kompetencave nga EULEX-i tek vendorët. 

Me theks të veçantë është biseduar edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional në parandalimin e korrupsionit, si dhe për bashkëpunimin e Prokurorit të Shtetit me bizneset private poashtu me qëllim të parandalimit të korrupsionit, si dhe rritjes së integritetit të prokurorëve, i cili është shumë i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

Në anën tjetër, ambasadorja Willems, duke vlerësuar punën që është duke e bërë Prokurori i Shtetit, në krye me kryeprokurorin Lumezi, shprehu gatishmërinë e saj dhe të vendit të saj, për ta ndihmuar sistemin prokurorial të Kosovës në të gjitha çështjet që Holanda mund të kontribuojnë,  me qëllim të rritjes së efikasitetit të këtij sistemi. Konkretisht ambasadorja e Holandës Gerrie Willems ofroi ndihmë nga Ambasada Holandeze në Prishtinë në ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve duke i trajnuar ata në fushën e hetimeve financiare dhe pastrimit të parave.

Në fund të takimit kryeprokurori Lumezi falënderoi ambasadoren e Holandës Gerrie Willems për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep sistemit prokurorial të Kosovës dhe  theksoi vendosmërinë e tij për të kontribuar në forcimin e sundimit të ligjit, duke dhënë rezultate në zbulimin dhe hetimin e veprave penale.