Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Me aktivitete të ndryshme po shënohet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”

Prishtinë, 18 tetor 2016 / Në kuadër të aktiviteteve të shumta që po mbahen për të shënuar ”Javën për të drejtat e viktimave të krimit”, me moton: “Drejtësi dhe rimëkëmbje për viktimat” është mbajtur konferencë dyditore nacionale. Konferenca ka filluar punimet ditën e djeshme dhe ka përfunduar sot. 

Me këtë rast kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, kërkoi angazhim gjithëpërfshirës të autoriteteve dhe mekanizmave, si dhe kërkoi përkrahjen e qytetarëve që t’iu dalin në mbrojtje viktimave, të çfarëdo natyre qofshin ato.

Kryeprokurori Lumezi theksoi se: “viktimat e krimit ngadalë, por sigurt, po depërtojnë në sistemin e të drejtave të njeriut, duke u bërë objekt primar i së drejtës vendore dhe duke marrë trajtimin e duhur nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës”, duke shtuar se “prokurori i shtetit ka gatishmërinë dhe përkushtimin e tij ligjor për trajtimin e rasteve të viktimave të krimit me prioritet, përmes Zyrës për mbrojtje dhe ndihmë viktimave, si dhe përmes prokurorëve përgjegjës që merren me trajtimin e kësaj kategorie të viktimave”.

Kryeprokurori Lumezi poashtu potencoi se mos zbulimi i autorëve të krimit sjell pasoja negative si për shtetin, ashtu edhe për viktimat e krimit.

Edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili ishte i pranishëm në ditën e parë të punimeve të konferencës  shprehu përkushtimin e tij individual dhe institucional për të mbrojtur të gjitha viktimat e krimit dhe për t’ju ofruar të drejtat e tyre të garantuara si qytetarë të barabartë të këtij shteti. Ai ka ftuar autoritetet kompetente, që karshi obligimeve kushtetuese dhe atyre ligjore të sigurojnë që viktimat e krimit të trajtohen me profesionalizëm, duke respektuar të drejtën në siguri, dinjitet, jetën private e familjare të tyre dhe duke njohur ndikimin negativ të krimit në viktimat e krimit.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe ministrja e drejtësisë, Dhurata Hoxha, ambasadorë të vendeve të ndryshme, përfaqësues të institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare, si dhe prokurorë dhe gjyqtarë nga vendi ynë.

Nga punimet e konferencës, të cilat përfunduan sot janë identifikuar një numër i çështjeve, për të cilat si shoqëri në përgjithësi dhe në veçanti si sistem prokurorial duhet të punohet më shumë për ta arritur objektivin që viktimat të kenë qasje të barabartë dhe të drejtë në drejtësi dhe që njëkohësisht të mundësohet rimëkëmbja e tyre pas vuajtjeve të përjetuara.

Rekomandimet konkrete të dala nga punimet dyditore të konferencës janë si në vijim:
•    Dëmshpërblimi dhe kompensimi i viktimave si gjatë zgjidhjes meritore të rasteve ashtu edhe gjatë zgjidhjes alternative të tyre ende çalon. Rekomandohet që në veçanti prokurorët dhe gjyqtarët me rastin e vendosjes së këtyre rasteve, sidomos kur kemi të bëjmë me viktimave të krimeve të dhunshme të bëjnë përpjekje maksimale që në pajtim me dispozitat ligjore të kërkojnë, respektivisht të caktojnë edhe dëmshpërblimin si pjesë integrale të vendosjes së atij rasti. Një qasje e tillë do të mundësonte që kurdo që është e mundur t’i lejohet edhe viktimës të aplikojë për kompensim nga shteti me programin e posa themeluar, në rastet kur dëmshpërblimi nuk mund të realizohet nga i pandehuri.
•    Viktimat në procedure penale - ende nuk gëzojnë të gjitha të drejtat që u japin këto kodet dhe ligjet tjera relevante. Kërkohet që palët e përfshira në proces dhe institucionet e sundimit të ligjit të njohin edhe në praktikë statusin e palës, viktimës dhe me këtë t’i mundësojnë edhe gëzimin e plotë të të drejtave. 
•    Rritja e bashkëpunimit mes mbrojtësve të viktimave dhe prokurorëve - për  të lejuar qasjen më të lehtë në procedurë për viktimat, Prokurori i Shtetit në kuadër të strukturës së vet organizative ka edhe Zyrën për mbrojtje dhe ndihmë viktimave. Duke pasur parasysh rastet e shumta të shërbimeve që kërkohen nja kjo zyrë rekomandohet ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe profesionale të punonjësve të kësaj zyre. Njëkohësisht, kërkohet nga prokurorët dhe mbrojtësit e viktimave të kenë një bashkëpunim më të ngushtë pasi kjo jo vetëm do të lehtësonte procesin por nga ky bashkëpunim do të përfitonin të gjithë: viktimat, prokurori, mbrojtësi i viktimave, gjykata etj.
•    Një drejtësi më efikase për viktimat e ndjeshme - viktimat e dhunës në familje, fëmijët, viktimat e trafikimit, dhe viktimat nga komuniteti LGBT kanë nevojë për një mbështetje më të veçantë nga sa e gëzojnë aktualisht. Jo më kot këto kategori kanë marrë një status specifik me legjislacionin vendor. Rekomandohet që këto raste të trajtohen me kujdes të shtuar dhe prioritet për një drejtësi sa më efektive për to.
•    Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës - për pothuajse 2 dekada këto viktima janë neglizhuar nga sistemi dhe barrierat e paraqitura gjatë rrugës për të Ju ofruar drejtësi kësaj kategorie. Pasi këto raste tani janë në kompetencën e Prokurorit të Shtetit, ky institucion do të përkushtohet në maksimum që kësaj kategorie t’ia bëjë më të lehtë qasjen në sistemin e drejtësisë.
•    Rimëkëmbje të plotë për viktimat- Përkundër sfidave të mëdha me të cilat ballafaqohet sistemi ynë i drejtësisë Kosova prapëseprapë është në rrugën e drejtë për t’i ofruar  mbështetjen që e meritojnë viktimat. Megjithatë, viktimat nuk duhet të mbesin peng i çështjeve teknike e administrative, andaj edhe kërkohet që institucionet të punojnë së bashku në identifikimin e çështjeve dhe gjetjen e zgjidhjes adekuate jo vetëm të çështjeve ligjore por edhe rehabilitimit të plotë të tyre. Viktimave e në veçanti viktimave të dhunës në familje duhet të iu sigurohet qëndrueshmëri dhe stabilitet për t’iu mundësuar pavarësi nga abuzuesit e tyre dhe vazhdim të pavarur të jetesës.

“Java për të drejtat e viktimave të krimit”, e cila shënohet për të shtatën herë në vendin tonë, ka për qëllim nderimin e viktimave të krimit dhe rritjen e vetëdijes për të drejtat e tyre dhe është organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.