Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

KONFERENCË E PËRBASHKËT PËR IMPLEMENTIMIN E PROJEKTIT TIK/SMIL

Prishtinë - 7 prill 2014, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dheKëshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), kanë mbajtur konferencën e përbashkët për Projektin e TIK-ut -  SMIL.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin, Kryeprokurori i Shtetit z. Ismet Kabashi, Kryesuesi i KGJK-së z. Enver Peci, kryeprokurorët e prokurorive Themelore, të gjithë kryetarët e gjykatave, Ambasadori i Qeverisë Norvegjeze në Prishtinë si dhe tjerë të ftuar.

Para të pranishmëve u shpalos projekti i TIK/SMIL, që ka për qëllim që të digjitalizojë dhe të implementojë Sistemin e Menaxhimit të Lëndëve, i cili do të bëjë një reformë rrënjësore të sistemit tonë, duke e sjellë në një sistem modern, efektiv, llogaridhënies dhe transparent.

Konferencën  e hapi kryesuesi i KGJK-së z. Enver Peci në fjalimin e tij në mes tjerash citoi:   ‘’Stafi i projektit tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet për të filluar trajnimet në gjykata dhe prokurori, andaj, të gjithë të punësuarit në gjykata dhe prokurori, duke filluar nga gjyqtarë, prokurorë, stafi administrativë I KGJK-së dhe KPK-së janë të obliguar të bashkëpunojnë me stafin e projektit me qëllim që trajnimet të realizohen me sukses dhe të arrihen rezultate të pritshme”. Gjithashtu, z.Peci falënderoi Qeverinë Norvegjeze dhe Ambasadorin e saj në Prishtinë z. Jan Brahu për angazhimet e tij për projektin, si dhe të gjithë donatorët që janë duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të punës në gjykata dhe prokurori.

Edhe Kryeprokurori i Shtetit z. Ismet Kabashi e mbështeti projektin në fjalë dhe në mes të tjerash citoi: “ KPK është e përkushtuar që me të gjitha kapacitetet e veta përkundër sfidave që do të hasë, projekti SMIL do të mbetet prioritet për tu realizuar”.

Ambasadori i Qeverisë Norvegjeze z. Jan Brahu shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për të realizuar këtë Project, i cili theksoi: “Me qëllim të rritjes së efikasitetit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, ne kemi arritur të kalojmë të gjitha modalitetet dhe se do të keni mbështetjen tonë’’ – përfundoi z. Brahu.

Me implementimin e projektit SMIL synohet vlerësimi përformancës së gjykatave, prokurorive dhe nevojave të resurseve njerëzore, financa , logjistikë etj, do të mund të bëhet përmes raporteve të sakta dhe indikatorëve që do të mund të gjenerohen nga sistemi.  Dhe në fund qytetarët do të kenë besimin se lëndët e tyre do të trajtohen me rend, pa diskriminime dhe në afate të pranueshme kohore.

Ky projekt për tu implementuar  është mbështetur nga Qeveria Norvegjeze dhe është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi në mes të Qeverisë Norvegjeze, KGJK, KPK dhe Ministrisë së Drejtësisë në qershor të vitit 2013.