Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

MBAHET TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS, 30 SHTATOR 2014

Prishtinë, 30 shtator 2014 – Është mbajtur takimi i shtatëdhjetenëntë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe njëherësh Kryetar i Këshillit Prokurorial, Sylë Hoxha.

Në fillim të këtij takimi ka dhënë betimin anëtari i ri i Këshillit Prokuroria të Kosovës nga Shoqëria Civile, Florent Muqaj.

Me pas në bazë të pikave të rendit të ditës anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë miratuar kërkesën e Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Besim Kelmendi dhe Prokurores së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Arbresha Raça, për lejimin e tyre që të angazhohen si ligjërues pas orarit të punës në institucione të shkollimit universitar.

Këshilli Prokurorial po sot ka marrë vendim që Prokurori i Departamentit të Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Selimaj të kalojë në Departamentin për Krime të Renda të kësaj Prokurorie, ndërsa Prokurori Xhavit Osmani, nga Departamenti i Përgjithshëm të kaloj në Departamentin për të Mitur të së njëjtës Prokurori.

Anëtarët e Këshillit Prokurorial në mbledhjen e mbajtur sot, janë njoftuar lidhur me Aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë që kanë të bëjnë me ankesat e parashtruara nga Shyqyri Syla dhe Laura Pula, kundër Vendimit të KPK-së për procesin e nominimit dhe emërimit për Kryeprokuror të Shtetit.

Këshilli Prokurorial ka autorizuar kryeprokurorët e prokurorive Themelore që të caktojnë nga një prokurorë si koordinator për koordinimin e rasteve të dhunës në familje.

Po sot, anëtaret e Këshillit Prokurorial janë njoftuar nga Kryetari i Komisionit për Akte Normative, Teki Bokshi, lidhur me procesin e rishikimit të Rregullores për procesin e nominimit dhe propozimit për emërim të Kryeprokurorit të Shtetit.

Kryetari Bokshi tha se në takimin e parë përveç anëtarëve të Komisionit për Akte Normative, kanë marrë pjesë dhe përfaqësuesit e EULEX-it dhe ata të Zyrës së BE-së në Prishtinë. Ai tha se në takimin e parë kryesisht është diskutua lidhur me metodologjinë që do të zhvillojë Komisioni për fillimin e plotësim-ndryshimit të rregullores së KPK-së, për procesin e nominimit dhe propozimit për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, duke u bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.