Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

“Internews Kosova” organizon seminar trajnues për kryeprokurorë, prokurorë dhe zyrtarë komunikimi

Prishtinë, 25 nëntor 2018 – “Internews Kosova” ka organizuar seminar trajnues treditor për marrëdhënie me publikun në Bogë të Pejës, seminar ky, i cili u realizua në kuadër të zbatimit të Projektit SAEK2, në të cilin morën pjesë kryeprokurorët e të gjitha prokurorive, prokurorët - përgjegjës për media dhe zyrtarët për komunikim publik të sistemit prokurorial të Kosovës.

Ekspertët e “Internewes Kosova”-s: z.Faik Ispahiu, Drejtor ekzekutiv i “Internews Kosova”-s, z.Kreshnik Gashi, Autor dhe Redaktor i “Drejtësia në Kosovë”, z.Labinot Leposhtica, Anëtar i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës dhe z.Granit Mavriqi, Menaxher i mediave sociale, kanë trajtuar format dhe mënyrat e reflektimit negativ të mosdhënies së informacionit adekuat dhe pranisë së vogël në media të zyrtarëve të të gjitha prokurorive për të shpjeguar veprimtarinë dhe aktivitetet konkrete, orientimet strategjike dhe vizionet e përgjithshme të sistemit prokurorial, pastaj nevojat e hartimit të raporteve ditore, javore dhe mujore për punën e prokurorive, si dhe rolin e sotëm të mediave sociale në shoqërinë tonë.

E, në këtë kontekst, trajnimi kishte përmasa të kuptimit të rolit dhe misionit, por edhe të krijimit të besueshmërisë ndaj institucioneve prokuroriale, si dhe kundërpërgjigjeve përmes mekanizmave profesionalë, publikë dhe ligjorë në rast të informacioneve të pasakta, duke vlerësuar unanimisht që për këto raste, brenda afateve të lejuara kohore dhe ligjore, të informohet Komisioni i Pavarur i Mediave dhe Këshilli i Mediave të Shkuara të Kosovës, i pari është mekanizëm rregullues, kurse i dyti vetërregullues, për t’i shqyrtuar shkeljet dhe keqinformimin e opinionit publik.

Një ndër shtjellimet më interesante të këtij seminari ishte prezantimi i punës praktike, simulimi i konferencës për media, analiza e ngjarjeve që prezantohen, shpejtësia e marrjes së primatit të lajmit burimor, planifikimi dhe publikimi i veprimeve, fluksi i presionit të gazetarëve në situata krizash dhe të folurit e qartë dhe transparent publik.

Ndërkohë nga pjesëmarrësit është realizuar një diskutim i hapur me Kryetaren e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, znj. Gentiana Begolli, e cila ishte ftuar për të bashkëbiseduar për bashkëpunimin e nevojshëm për mbrojtjen e gazetarëve nga kërcënimet dhe ekspozimet e dhunshme ndaj tyre gjatë kryerjes së punës së tyre, me ç’rast u prezantuan angazhimet e përbashkëta konkrete në këtë aspekt.

KPK-ja dhe PSH-ja do të vazhdojnë edhe në të ardhmen bashkëpunimin me “Internews Kosova”-n për të avancuar performancën profesionale të komunikimit publik në sistemin prokurorial të Kosovës.