Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Punëtori prezantuese për të arriturat dhe sfidat në vënien në zbatim të SMIL-it

Prishtinë, 24 nëntor 2018 – Në kuadër të Projektit TIK-SMIL është organizuar një punëtori prezantuese në bashkëpunim me Sekretariatin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, punëtori kjo, në të cilën kanë marrë pjesë Drejtori i SKPK-së, z. Lavdim  Krasniqi, udhëheqësit e Projektit TIK-SMIL, z. Fatmir Rexherpi dhe z. Nexhat Haziri, trajnerët regjionalë të këtij projekti, përfshirë edhe trajnerët e caktuar nga prokuroritë përkatëse.

Në këtë punëtori dyditore janë prezantuar të arriturat e SMIL-it dhe sfidat, të cilat janë hasur gjatë mbajtjes së trajnimeve të stafit dhe vënies në zbatim të tij, gjithashtu, është prezantuar edhe numri i lëndëve të regjistruara që nga vënia në përdorim e SMIL-it në Prokurorinë Themelore të Pejës, Prizrenit, Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës dhe Ferizajit.

Në kuadër të kësaj punëtorie është përgatitur Plani i punës për vënien në zbatim të SMIL-it në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, i cili parashihet të realizohet gjatë muajit dhjetor.

Projekti TIK–SMIL ishte paraparë të përfundonte në muajin dhjetor, por duke parë suksesin e arritur, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Mbretërisë së Norvegjisë kanë nënshkruar një marrëveshje për mbështetje finanaciare edhe për tre vjetët e ardhshëm, me ç’rast fokusi kryesor i këtij projekti madhor gjatë fazës së konsolidimit do të jetë vënia në zbatim të plotë të SMIL-it në të gjitha prokuroritë dhe gjykatat e vendit, si dhe ndërlidhja e tij me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës.