Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i 159-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 24 dhjetor 2018 – Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur takimin e 159-të me radhë, të cilin e ka udhëhequr Kryesuesi i tij, z. Blerim Isufaj.

Kryesuesi i KPK-së, z. Blerim Isufaj, ka thënë fillimisht se në rendin e ditës janë disa pika të rëndësishme për miratim, për të cilat falënderoi anëtarët e komisioneve, partnerët strategjikë dhe stafin administrativ për angazhim dhe përkushtim në hartimin dhe prezantimin e tyre para Këshillit.

Në ndërlidhje me këtë ishte edhe Raporti i miratuar i Koordinatorit kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike për periudhën korrik - shtator 2018, me ç’rast është theksuar se tremujori i tretë i këtij viti ka sjellë një ndryshim në raport me dy tremujorët e parë, në kuptim e ngrirjes, sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së shkelësve të ligjit.

Gjithashtu është miratuar Raporti i Komisionit mbikëqyrës për zbatimin e Planit strategjik dhe Planit të veprimit  për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, me ç’rast është potencuar se për periudhën janar shtator 2018 ka pasur efikasitet të theksuar në luftën kundër korrupsionit, kriminalitetit ekonomik dhe financiar, si dhe veprave të tjera. Ajo që vlen të theksohet në këtë rast është rritja e numrit të paraqitjes së rasteve nga ana e qytetarëve, e cila ka kaluar 25 %-shin. 

Gjatë takimit të KPK-së është bërë edhe miratimi i Kodit të etikës dhe sjelljes profesionale për prokurorë, i cili përcakton standardet e sjelljes dhe etikën e prokurorëve, duke u bazuar në vlerat dhe parimet, siç janë: pavarësia, paanshmëria, integriteti, llogaridhënia, transparenca dhe profesionalizmi. Ky kod përmban rregulla të sjelljes dhe etikës të obligueshme për të gjithë prokurorët e shtetit dhe nuk paraqet zëvendësim, por plotësim të akteve të tjera, të cilat rregullojnë këtë fushë, si dhe i përshtatet pozitës së prokurorëve dhe përgjegjësive të ngarkuara të tyre, duke ofruar pika konkrete të referencës se si duhet të veprojnë në detyrë dhe në jetën private.

Në përfundim të takimit është marrë vendim për paraqitjen e nominimeve për Kryesues të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili do të bëhet nga data 26, 27 dhe 28 dhjetor 2018 sipas procedurave të parapara ligjore, si dhe është miratuar raporti për vlerësimin e parë për 21 prokurorë me mandate fillestare.