Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i Kryesuesit të KPK-së para mediave me rastin e konferencës tradicionale të fundvitit

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar anëtarë të Këshillit Prokurorial,

Të nderuar të pranishëm,

Mirë se keni ardhur në konferencën e fundvitit, në të cilën do të prezantoj veprimtarinë njëvjeçare të Këshillit Prokurorial të Kosovës, rezultatet dhe sfidat, me të cilat jemi ballafaquar në realizim të mandatit të Këshillit.

Fillimisht ju njoftoj me aktivitetet kryesore të Këshillit për vitin 2018, me ç’rast duke u mbështetur në kompetencat ligjore dhe në planin e punës për vitin 2018, Këshilli ka arritur të realizojë procese shumë të rëndësishme për avancimin e mëtutjeshëm të sistemit prokurorial të Republikës se Kosovës.

Këshilli ka mbajtur këtë vit 13 takime, përfshirë një takim të përbashkët me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, si dhe ka nxjerr afro 132 vendime nga fushëveprimtaria e tij, të cilat kanë të bëjnë me themelimin e komisioneve te ndryshme ad hoc, rekrutimin, transferimin dhe avancimin e prokurorëve, disiplinimin dhe vlerësimin e performancës së prokurorëve, administrimin e prokurorive, menaxhimin e buxhetit, miratimin e dokumenteve strategjike dhe planeve të punës, procesin e integrimeve evropiane dhe vendime që i përkasin bashkëpunimit institucional.

Më lejoni që të përmend sukseset dhe punët kryesore të realizuara nga Këshilli, si në vijim:

  1. Miratimi i akteve nënligjore

Këshilli ka arritur të hartojë dhe aprovojë këto akte nënligjore:

  • Rregulloren për shfrytëzimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në sistemin prokurorial;
  • Udhëzimin administrativ për caktimin e normës orientuese për prokurorët e Shtetit;
  • Udhëzimin administrativ për përdorimin e automjeteve zyrtare të sistemit prokurorial;
  • Udhëzimin administrativ për menaxhimin e pasurisë jofinanciare të KPK-së;
  • Kodi i etikës dhe sjelljes profesionale për prokurorë.

Me miratimin e këtyre akteve është plotësuar në vazhdimësi korniza nënligjore e sistemit prokurorial bazuar në mandatin e Këshillit dhe prioritetet strategjike të sistemit prokurorial.

Këto akte kanë ndikuar në ngritjen e efikasitetit dhe në përmirësimin e cilësisë së punës përmes rregullimit të përdorimit të teknologjisë informative, si dhe menaxhimit efikas të pasurisë jofinanciare të Këshillit.

Të nderuar përfaqësues mediash dhe ju të pranishëm,

Më lejoni t’ju them se norma orientuese për prokurorë është e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe ka ndikim direkt në performancën e institucionit të Prokurorit të Shtetit në zvogëlimin e numrit të lëndëve, por edhe reduktimi i shpenzimeve të buxhetit përmes kufizimit të përdorimit të automjeteve zyrtare ka krijuar ekonomizimin e shpenzimeve të panevojshme institucionale.

Në veçanti, Këshilli, me mbështetjen e Ambasadës Holandeze dhe bashkëpunimin e shoqërisë civile, ka hartuar dhe miratuar së fundmi Kodin e etikës dhe sjelljes profesionale për prokurorë, përmes të cilit synohet një sistem prokurorial me integritet dhe dinjitet.

E tëra kjo kornizë nënligjore është hartuar nga kapacitetet e sistemit prokurorial dhe në mbështetje të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

  1. Rekrutimi i prokurorëve të rinj

Pas një analize të nevojave, Këshilli, gjatë këtij viti, mori vendim për shpalljen e 10 pozitave të lira për prokurorë të rinj në të gjitha prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës. Ky proces është pothuajse në fazën finale të rekrutimit dhe në fillim të vitit të ardhshëm, lista me kandidatë për prokurorë do të dorëzohet te Presidenti për dekretim. Vlen të theksohet se ky proces është monitoruar nga shoqëria civile, OSBE  dhe përfaqësues te Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, kurse vlerësimet tona dhe ato të monitoruesve janë pozitive dhe të njëjtat pritet të jenë deri në përfundim të procesit. Me këtë proces, Këshilli do të plotësojë numrin e prokurorëve të nevojshëm për sistemin prokurorial, me ç’rast do të jetë numri më i lartë i prokurorëve që kemi pasur ndonjëherë, 201 prokurorë, respektivisht, më shumë se 11 prokurorë për 100 mijë banorë, mesatare kjo e njëjtë me vendet evropiane.

Sa i përket rekrutimit të prokurorëve të rinj nga dy proceset e zhvilluara në vitet 2016-2017 dhe me procesin e fundit te këtij viti, numri i prokurorëve rritet për 45%, gjë që tregon jo vetem një punë të efektshme të Këshillit, por edhe një kontribut në fuqizimin e shtetit ligjor.

  1. Avancimi dhe transferimi i prokurorëve

Këshilli ka realizuar gjatë këtij viti katër (4) procese për avancim të prokurorëve të shtetit, përmes të cilave, tre (3) prokurorë janë avancuar në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, pesë (5) në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe pesë (5) të tjerë nga një departament në tjetrin të prokurorive themelore të Ferizajt, Prishtinës dhe Mitrovicës.

Në këtë aspekt është e rëndësishme të theksohet se me avancimin e prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës përmbushet një obligim i përcaktuar në procesin e integrimit evropian.  

Gjatë periudhës raportuese, Këshilli, po ashtu, ka transferuar pesë (5) prokurorë në prokuroritë themelore dhe në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

  1. Disiplinimi i prokurorëve

Komisoni Disiplinor i Këshillit gjatë vitit 2018 ka pasur në punë 10 raste disiplinore, përderisa i ka zgjidhur shtatë (7) raste dhe tre (3) të tjera janë në proces të trajtimit.

Prej rasteve të zgjidhura ka shqiptuar:

  • 2 pushime të procedurave;
  • 1 suspendim pa pagesë;
  • 1 ulje në detyrë brenda sistemit prokurorial;
  • 1 qortim me urdhër për ndërmarrje të veprimeve korrigjuese;
  • 1 qortim;
  • 1 refuzim i raportit përfundimtar.

Nga janari 2018, Këshilli si shkallë e dytë ka pranuar katër (4) ankesa kundër vendimeve të Komisionit Disiplinor dhe ka marrë vendimet si në vijim:

  • 1 pushim të procedurës;
  • 1 aprovim të suspendimit;
  • 1 refuzim të ankesës së Zyrës së Prokurorit Disiplinor (Vendimi në fuqi mbeti refuzim i raportit përfundimtar)
  • 1 refuzim i ankesës së Zyrës së Prokurorit Disiplinor dhe vërtetohet vendimi i Komisionit disiplinor “Qortim”

Gjatë vitit 2018 është miratuar Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore te gjyqtarëve dhe prokuroreve i cili ka vendosur një sistem te ri disiplinimi si mundësi me te avancuar te llogaridhënies se prokuroreve.

  1. Vlerësimi i performancës së prokurorëve

Përmes Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, Këshilli gjatë vitit 2018, ka finalizuar pesë (5) procese të vlerësimit të performancës, me ç’rast janë vlerësuar gjithsej 67 prokurorë, prej tyre 33 prokurorë me mandat të përhershëm dhe tridhjetë e katër (34) prokurorë me mandat fillestar. Ky ishte edhe numri i prokuroreve qe Këshilli kishte planifikuar te vlerësojë gjate vitit 2018.

  1. Efikasiteti në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit ekonomik

Sa i përket trajtimit të rasteve të korrupsionit dhe krimit ekonomik, gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, Këshilli ka monitoruar zbatimin e Planit strategjik specifik dhe rezultatet në këtë periudhë janë si në vijim: lëndë të pranuara të korrupsionit janë 294 raste përderisa ka trajtuar 281 raste, respektivisht, ka zgjidhur 96% të rasteve të pranuara.

Sa i përket krimeve ekonomike janë pranuar 301 raste dhe janë trajtuar 317, respektivisht janë zgjidhur 5% më shumë lëndë sesa janë pranuar.

Pra, raportet aktuale tregojnë për një efikasitet në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike.

Të gjitha proceset e rekrutimit, transferimit dhe avancimit, vlerësimit të performancës, disiplinimit të prokurorëve, hartimit të akteve nënligjore, buxhetit, administrimit të prokurorive janë realizuar përmes komisioneve të përhershme dhe ad hoc të Këshillit Prorurorial të Kosovës.  

  1. Funksionalizimi i Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Lendeve (TIK/SMIL)

Ndërkohë gjatë këtij viti është zhvilluar në mënyrë dinamike Projekti i Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL), i financuar nga Qeveria e Norvegjisë, për të cilin lirisht mund të themi se është më i avancuari jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë.

Pra është realizuar një projekt madhor që sjell transparencë, llogaridhënie dhe besueshmëri, me ç’rast prokuroritë do të jenë shumë më efikase në procedurat dhe afatet kohore për zgjidhjen e lëndëve sipas standardeve të njohura.  

Gjithashtu do të kemi burime njerëzore më të afta, do të kemi menaxhim dhe planifikim buxhetor më të mirë, duke u bazuar në statistika të sakta dhe në kohë reale.

Pra ky projekt përfshinë ndërlidhjen me: regjistrin civil dhe regjistrin e bizneseve të Kosovës, i cili përmban koncepte funksionale të rishikimit të lëndëve në baza periodike, kritere dhe identifikime të çështjeve me interes, përfshirë regjistrat e lëndëve penale nëpër regjione, raportet e lëndëve të kryera dhe progresin e kryerjes së tyre, me ç ‘rast sistemi elektronik llogarit saktë peshën e lëndëve dhe bën shpërndarjen automatike të tyre, duke krijuar mundësi të mëdha të planifikimit dhe parakushte për zhvillimin e një sistemi standard.

Në këtë kontekst është mbajtur trajnimi i stafit të Prokurorive Themelore në Prishtinë, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Ferizaj, Prizren, si dhe në Prokurorinë Speciale për përdorimin e SMIL-it, ndërsa nga dhjetori i vitit 2018 ka filluar trajnimi i stafit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, gjë që nënkupton se të gjitha lëndët që pranohen në shkrimore regjistrohen në SMIL dhe pastaj shpërndahen te prokurorët, duke mundësuar regjistrimin e të gjitha veprimeve në kuadër të një lënde përkatëse.

Nga 13 nëntori deri më 18 dhjetor në SMIL janë regjistruar gjithsej 2284 lëndë, sepse këtë e ka mundësuar avancimi i infrastrukturës së rrjetit, përfshirë furnizimin me pajisje të rrjetit për të gjitha prokuroritë e Kosovës.

Është përgatitur plani për regjistrimin e të gjitha lëndëve të vjetra në punë në SMIL me qëllim të largimit të regjistrave nga prokuroritë si dhe të digjitalizimit të plotë të procesit të punës në të gjitha prokuroritë e vendit. 

Projekti i SMIL-it ishte paraparë të përfundonte në muajin dhjetor, por duke parë suksesin e arritur, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Mbretërisë së Norvegjisë kanë nënshkruar një marrëveshje për mbështetje financiare edhe për tre vjetët e ardhshëm, me ç’rast fokusi kryesor i këtij projekti madhor gjatë fazës së konsolidimit do të jetë vënia në zbatim të plotë të SMIL-it në të gjitha prokuroritë dhe gjykatat e vendit, si dhe ndërlidhja e tij me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës, e cila do të mundësojë shkëmbimin e të dhënave në mënyrë reciproke elektronike.

  1. Marrëveshjet e mirëkuptimit dhe memorandumet e bashkëpunimit

Këshilli ka nënshkruar gjashtë (6) marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi dhe mirëkuptimi me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si:

  1. Memorandum bashkëpunimi mes Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë për parimet bazë për bashkëpunim ndërinstitucional në lidhje me procesin e rishikimit funksional të sundimit të ligjit;
  2. Memorandum bashkëpunimi mes Këshillit Prokurorial dhe Institutit Ndërkombëtar të Siracusa-s të Italisë për zbatimin e Projektit “Forcimi i luftës kundër tregtisë së paligjshme në Evropën Juglindore”;
  3. Marrëveshje Bashkëpunimi mes Këshillit Prokurorial dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për kryerjen e ekspertizave dhe superekspertizave nga ekspertët e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës për nevojat e institucionit të Prokurorit të Shtetit;
  4. Memorandum bashkëpunimi mes Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ndërmarrjes Publike Komunale “Trafiku Urban” në Prishtinë për sigurimin e shërbimit të transportit me autobus për të punësuarit në Pallatin e Drejtësisë;
  5. Memorandum mirëkuptimi mes Këshillit Prokurorial dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe për financimin e Projektit “Fuqizimi i sistemit gjyqësor/prokurorial të Kosovës”;
  6. Memorandum mirëkuptimi mes Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe Ambasadës së Norvegjisë për financimin dhe zbatimin e Fazës Konsoliduese të SMIL-it;
  7. Deklaratë e Përbashkët “Drejtësia 2020” mes Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë.

 

8. Sekretariati i Këshillit Prokurorial

Këshilli ka ushtruar mandatin e tij i mbështetur nga Sekretariati i tij.

Sekretariati i Këshillit, për të përmbushur procesin e reformimit të strukturave të brendshme organizative dhe sistematizimin e vendeve të punës ka rekrutuar një staf të konsiderueshëm në njësitë organizative të tij, duke krijuar parametra funksionalë për sistemin prokurorial.

Shërbimet e tij sekretariati i ka realizuar përmes planeve te punës për vitin 2019 të departamenteve, divizioneve dhe zyrave të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial.

Vlen te theksohet ne veçanti se Sekretariati gjate vitit 2018 ka rekrutuar 158 zyrtare administrativ në të gjithë sistemin prokurorial, ku bëjnë pjesë: bashkëpunëtorë profesional, zyrtarë ligjor, zyrtarë të lartë për komunikim publik, zyrtarë për monitorim të mediave, administratorë të teknologjisë informative, zyrtarë për përkthime, zyrtarë për integrime evropiane, zyrtarë të lartë ekzekutiv dhe të tjerë, me ç’rast  rritja e këtij numri ka ndikuar në efikasitetin e sistemit prokurorial. Ndërkohë, gjatë vitit, janë pranuar 175 praktikantë në të gjitha nivelet e prokurorive.

Gjithashtu gjate vitit 2018 Këshilli i ka kushtuar kujdes të vazhdueshëm sigurimit dhe përmirësimit të infrastrukturës fizike, të teknologjisë informative dhe të komunikimit në sistemin prokurorial, me qëllim të ofrimit të kushteve optimale për punën e prokurorëve dhe personelit mbështetës.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit, është zotuar që të krijojë një mjedis të punës, i cili do të mundësojë vënien në dispozicion të shërbimeve digjitale online, të ofruar jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe për qytetarët e Kosovës.

Sa i përket teknologjisë informative janë realizuar këto aktivitete:

  •   Është bërë funksionalizimi dhe vënia në zbatim e sistemit elektronik të menaxhimit të dosjeve personale të prokurorëve, duke mundësuar menaxhimin e tërësishëm të dosjes së prokurorëve, transferimin, avancimin dhe trajnimin e  tyre. Nga kjo nënkuptohet që procesi i punës së NJSHPP-së menaxhohet në mënyrë elektronike;
  •   Është digjitalizuar procesi i aplikimit online për pozitën e prokurorëve. Një mundësi e tillë është ofruar në konkursin e fundit për pozitën e prokurorëve, duke u mundësuar të interesuarave qasje në sistemin elektronik për aplikim.
  •   Është zbatuar sistemi elektronik për menaxhimin e të gjitha pajisjeve të teknologjisë informative dhe sistemi i HelpDesk-ut. Ky sistem pasqyron informatat e përgjithshme të pajisjeve të TI-së dhe ngrit nivelin e intervenimit të shpejtë të stafit të TI-së.
  •   Është avancuar sistemi i sigurisë së objekteve të prokurorive, duke vendosur kamera të sigurisë, gjë që ka rezultuar me ngritjen e nivelit të sigurisë në aspektin e objektit dhe stafit në punë. 
  •   Është avancuar infrastruktura harduerike në sistemin prokurorial, duke i furnizuar prokuroritë me të gjitha pajisjet e teknologjisë informative të nevojshme për punë.
  •   Janë pranuar donacione nga Ambasada Amerikane, siç janë: pajisjet simultane për Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, pajisje videokonferencash për të gjitha prokuroritë, kompjuterë dhe skanerë.
  •   Jemi në proces të rregullimit të dhomave për të mitur në prokuroritë themelore, të cilat do t’i posedojnë të gjitha kushtet dhe pajisjet e nevojshme sipas standardeve qe i kanë shtetet me te avancuar.

Sa i përket buxhetit është për t’u theksuar se buxheti i vitit 2018 është rritur për 1,609,144.00€ ose 17.67% në krahasim me vitin 2017, përderisa kufiri buxhetor i aprovuar për vitin 2019 është 14,170,065€. 

  1. Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë

Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë gjatë vitit 2018 ka realizuar aktivitetet si në vijim: mbështetje në proces të shqyrtimit të performancës së prokurorëve, mbështetje në procesin e rekrutimit të prokurorëve, përgatitjen e raporteve statistikore dhe analitike, në të cilat pasqyrohet ngarkesa me lëndë, zgjidhja e tyre dhe trendet përfshirë edhe efikasitetin e prokurorive specifike dhe nevojën për prokurorë shtesë. Ky njësit ka bërë edhe monitorimin e prokurorive në lidhje me ndarjen dhe regjistrimin e lëndëve, e, në veçanti, gjatë pjesës së dytë të vitit 2018 është fokusuar në monitorimin e pranimit dhe regjistrimit të lëndëve në platformën e SMIL-it. Ky angazhim do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2019, me qëllim të informimit të Këshillit për sfidat dhe rekomandimet për tejkalimin e tyre në procesin e implementimit të SMIL-it.

Njësiti ka bërë edhe koordinimin e trajnimeve të prokurorëve dhe stafit mbështetës dhe ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për komisionet e përhershme dhe ad hoc të Këshillit.

Me qëllim të rritjes së efikasitetit është zhvilluar databaza për dosjet e prokurorëve ku janë digjitalizuar proceset kryesore të Këshillit sic janë: rekrutimi, transferimi, avancimi, vlerësimi i performancës dhe disiplinimi i prokurorëve, pjesëmarrja e prokurorëve në trajnime, si dhe menaxhimi i pushimeve. Kjo do t’i bëjë këto procese më efikase, të sakta, dhe do të rrisë llogaridhënien në sistemin prokurorial. Si rezultat, procesi i fundit i rekrutimit të prokurorëve të rinj për herë të parë është bërë përmes aplikimit online.

  1. Bashkëpunimi vendor dhe ndërkombëtar

Këshilli ka vazhduar politikën e bashkëpunimit të hapur dhe profesional me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Ndër institucionet vendore do të veçoja: Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Akademinë e Drejtësisë, Kuvendin, Qeverinë, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Integrimit Evropian, Odën e Avokatëve, Policinë e Kosovës, si dhe organet e tjera të zbatimit të ligjit.

Kurse, ndër institucionet, donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë, do të theksoja bashkëpunimin me: Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zyrën e BE-së në Prishtinë, e cila financon projekte të ndryshme, UNDP-në dhe agjencitë e tjera të Kombeve të Bashkuara, Ambasadën e Britanisë së Madhe, Ambasadën e Norvegjisë, Ambasadën e Holandës dhe ambasadat e tjera, EULEX-in, Këshillin e Evropës, Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), GIZ-in dhe institucione e organizata të tjera. 

Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit është shprehur edhe në proceset e integrimit evropian, ngaqë të gjitha kapacitetet e Këshillit u janë përgjigjur në çdo kohë kërkesave për raportim dhe janë bërë përgatitjet e projekt-propozimeve të ndryshme për financim të projekteve.

Në veçanti, do të theksoja angazhimin përmes grupeve punuese në procesin e Rishikimit Funksional të Sistemit të Drejtësisë, me ç’rast kemi kontribuar në mënyrë aktive me propozime dhe komente në funksion të një analize të saktë të proceseve të punës në sektorin e drejtësisë.

  1. Plani strategjik dhe Plani i veprimit

Më aspektin e zbatimit të Planit strategjik, mund të themi se janë përmbushur objektivat, të cilat kanë qenë të parapara të realizohen gjatë vitit 2018. Me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të këtij plani, grupi punues i themeluar nga Këshilli ka hartuar raporte periodike për nivelin e zbatimit të këtij plani, të cilat i ka prezantuar në takimet publike të Këshillit.

Gjate vitit 2018 Këshilli ka aprovuar objektivat strategjike dhe ka filluar procesin e përgatitjes se Planit Strategjik 2019-2021. Ky plan është ne fazën finale te hartimit dhe pas aprovimit ne Këshill do te publikohet.

  1. Komunikimi me publikun

Gjatë vitit 2018 janë dinamizuar përpjekjet për të zhvilluar një komunikim efikas, transparent dhe të hapur me publikun dhe mediat, me ç’rast takimet e Këshillit kanë qenë të hapura për mediat, kemi ofruar informata me interes për publikun përmes komunikatave, njoftimeve, sqarimeve, ndonjëherë edhe reagimeve, pastaj broshurave, buletineve mujore dhe faqeve zyrtare. Përgjatë vitit janë publikuar vazhdimisht raporte periodike dhe vjetore për punën e Këshillit, komisioneve të tij dhe punën e institucionit të Prokurorit të Shtetit, planet vjetore të punës së Këshillit dhe Prokurorit të Shtetit.

Në këtë kontekst të dinamizmit dhe orientimit të veprimtarisë së komunikimit publik është hartuar edhe Strategjia e Komunikimi Publik e sistemit prokurorial 2018-2020, e cila ka filluar së zbatuari përgjatë vitit dhe do të vazhdojë viteve të ardhshme.

Gjithashtu është hartuar Projekti i Uebportalit të unifikuar prokurorial dhe i rrjeteve sociale të sistemit prokurorial, i cili është në proces e sipër dhe do të fillojë së zbatuari në pjesën e parë të vitit 2019.

Në vijim të vitit janë rekrutuar zyrtarët për komunikim, informim dhe monitorim mediash në të gjitha prokuroritë e Kosovës, me qëllim të ngritjes së efikasitetit në komunikim dhe shprehjes së një transparence më të madhe ndaj publikut.

Këshilli, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së komunikimit të sistemit prokurorial, duke inkurajuar pjesëmarrjen dhe informimin e qytetarëve, rritjen e përgjegjshmërisë dhe transparencës për opinionin e gjerë publik, si dhe në zbatim të Strategjisë për Komunikim me Publikun të këtij sistemi, ka marrë vendim për caktimin e prokurorëve përgjegjës për komunikim me media në të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës.

Në fund të vitit është hartuar Udhërrëfyesi për zyrtarët për komunikim publik të sistemit prokurorial, i cili nxjerrët në kuadër të zbatimit të Planit të punës të Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2018 dhe ka të bëjë me hartimin e procedurave të brendshme për komunikim me publikun, kurse standardet dhe kriteret e tij plotësojnë kuptimet teorike dhe praktike, të cilat janë përgatitur dhe bashkërenduar, përcjell dhe vlerësuar në harmoni të plotë, me ç’rast zë vend qendror respektimi i plotë i procedurave komunikuese si garantuese të prezantimit të informacionit publik.

  1. Ngritja e kapaciteteve/trajnimet

Këshilli në bashkëpunim me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit ka arritur që edhe gjatë vitit 2018 të koordinojë dhe mbështesë ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve dhe stafit. Në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë dhe partnerë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë janë organizuar programe të ndryshme trajnuese, brenda dhe jashtë vendit, bazuar në nevojat e sistemit prokurorial.

Ne kemi hartuar dhe adresuar politikat për trajnimin e vazhdueshëm të prokurorëve dhe stafit, ndërsa lidhur me trajnimin fillestar kemi bashkëpunuar me Akademinë e Drejtësisë ku prokurorët që janë dekretuar me mandat fillestar në fillim të vitit 2018 janë në trajnim fillesar në Akademinë e Drejtësisë, dhe në fillim të 2019, pas përfundimit të këtij trajnimi do të ngarkohen me lëndë.

  1. Sfidat

Gjatë veprimtarisë sonë për vitin 2018 përveç të arriturave natyrisht që kishim edhe sfida të ndryshme. Dëshiroj të theksoj se ndër sfidat kryesore me të cilat jemi përballur janë:

  • Mosplotësimi i përbërjes së Këshillit me tre (3) anëtarë joprokurorë, e cila është përgjegjësi e institucioneve të tjera vendore;
  • Miratimi i akteve nënligjore të planifikuara me Plan të punës, si rezultat i vonesës së ndryshimeve ligjore, të cilat ishin në proces, si: Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Ligji për Prokurorin e Shtetit dhe Ligji për Përgjegjesinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;
  • Buxheti i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha obligimet e krijuara, edhe pse kemi pasur rritje të buxhetit për këtë vit;
  • Specializimi i prokurorëve për trajtimin e krimeve karakteristike (korrupsioni, krimi i organizuar, krimi ekonomik dhe krimet kibernetike);
  • Avancimi i komunikimit me media dhe publikun (respektimi i procedurave të rekrutimit të stafit në pjesën e dytë të vitit aktual);
  • Mosrespektimi i parimit të transparencës përmes disa publikimeve mediale që ndikojnë drejtpërdrejt në dëmtimin e besimit të publikut në sistemin prokurorial;
  • Krijimi dhe zbatimit i sistemit të menaxhimit elektronik të lëndëve (Projekti TIK/SMIL);
  • Infrastruktura fizike (zgjerimi i hapësirave për Këshillin dhe Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokuroritë themelore të Gjakovës dhe Mitrovicës, që gjenden në objekte me qera); 
  • Ngritja e kapaciteteve profesionale të personelit të sistemit prokurorial.

Ne si Këshill i kemi trajtuar seriozisht këto sfida, duke dërguar kërkesa të shumta dhe të argumentuara buxhetore në Ministrinë e Financave, në Qeveri dhe në Kuvend.

Si rezultat, me Projektligjin për Buxhetin e vitit 2019 është caktuar një kufi buxhetor më premtues, gjë që, nëse miratohet, do të ndikonte në përmirësimin e shërbimeve të sistemit prokurorial.

  1. Planifikimi i punës së Këshillit për vitin 2019

Dëshiroj t’ju njoftoj se Këshilli është duke finalizuar Planin vjetor të punës për vitin 2019, në të cilat janë planifikuar aktivitetet e parapara me mandatin ligjor, Planin strategjik 2019 - 2021 dhe kërkesat që burojnë nga procesi i integrimit evropian.

Po ashtu, në reflektim të ndryshimeve ligjore, që kanë ndodhur në 2018 dhe pritet të ndodhin më 2019, Këshilli do të hartojë dhe miratojë aktet nënligjore përkatëse të parapara me këto ndryshime.

Si përfundim, ju njoftoj se në pajtim me ligjin, Këshilli do të publikojë Raportin e punës për vitin 2018 në fillim të vitit 2019 dhe do ta bëjë të qasshëm në faqen zyrtare të Këshillit dhe në kopje fizike, me ç’rast publiku dhe Ju, përfaqësues të nderuar të mediave, do të informoheni në detaje për aktivitetet tona gjatë vitit që po e lëmë pas.

Me këtë rast ju falënderoj juve si përfaqësues të mediave të respektuara për bashkëpunimin që kishim gjatë këtij viti dhe ju uroj festat e fundvitit, duke shprehur edhe njëherë gatishmërinë time të lartë, të Këshillit dhe përgjithësisht të sistemit prokurorial për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të ardhmen.

Urime dhe suksese për Ju në vitin 2019!

Gjithashtu, në emër të sistemit prokurorial, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ua përcjell urimet m të mirat për festat e fundvitit. 

Faleminderit dhe mirupafshim herëve të tjera festive!

 

Prishtinë, 26 dhjetor 2018