Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

“Drejtësia 2020” do t’i japë fund tranzicionit në sistemin e drejtësisë

Prishtinë, 23 janar 2019 – Përmbyllja e tranzicionit në sistemin e drejtësisë, avancimi i progresit dhe rikthimi i plotë i besimit të qytetarëve në shtetin ligjor ishin në fokus të diskutimit të sotëm të Agjendës së përbashkët “Drejtësia 2020”, Bordi i së cilës mbajti takimin e parë për këtë vit.

Me këtë rast u shpreh përkushtimi për planifikimin dhe zbatimin e masave konkrete të agjendës “Drejtësia 2020”, përfshirë implementimin me sukses të ligjeve të miratuara së fundmi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Bordi i Agjendës "Drejtësia 2020", i përbërë nga Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, si dhe me pjesëmarrjen e Ambasadores së EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, shefit të sektorit politik, ekonomik dhe për integrime evropiane në Zyrën e BE-së, Riccardo Serri, zëvendëses së Zyrës Politike dhe Ekonomike në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Alison Storsve, kanë përcaktuar prioritetet e tremujorit të parë të këtij viti.

Përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë kosovare kanë shprehur përkushtimin e tyre të plotë ndaj fuqizimit të fushës së sundimit të ligjit në Kosovë, duke theksuar se Agjenda e përbashkët “Drejtësia 2020” është e fokusuar në masa konkrete të planifikuara dhe me afate kohore të përcaktuara.

Nga ana tjetër, partnerët zhvillimorë kanë shprehur përkrahjen dhe mbështetjen e tyre të plotë me ekspertë dhe burime të tjera për këtë projekt, në mënyrë që kjo agjendë të ketë sukses.

“Drejtësia 2020” është e fokusuar në masa konkrete që synojnë përmirësimin e shpejtë të menaxhimit dhe efikasitetit brenda sistemit të drejtësisë, rrjedhimisht janë përcaktuar pesë tema për të cilat është arritur pajtimi që të punohet në mënyrë intensive në muajt vijues, e, që janë diskutuar sot: reduktimi i lëndëve të vjetra, themelimi i mekanizmave për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të dy Këshillave, themelimi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës, rritja e numrit të noterëve në bazë të formulës 1 noter në 10 mijë banorë, si dhe konsolidimi i mirëfilltë i ndërmjetësuesve, si pjesë integrale e sistemit të drejtësisë.

Bordi i Agjendës “Drejtësia 2020” do të takohet rregullisht për të përcjellë përmbushjen e aktiviteteve për të cilat janë pajtuar, duke u angazhuar për materializimin e të gjitha masave që janë pjesë e kësaj agjende.