Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi i KPK-së dhe Kryeprokurori i Shtetit vizituan Prokurorinë Themelore në Pejë dhe Prokurorinë Themelore në Gjakovë

Pejë–Gjakovë, 3 prill 2019 – Në kuadër të vizitave të punës nëpër prokuroritë e vendit, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni dhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, të shoqëruar nga Drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, kanë qëndruar për një vizitë pune në Prokurorinë Themelore të Pejës dhe në atë të Gjakovës.

Të dy krerët e lartë të sistemit prokurorial janë njoftuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, për punën, të arriturat dhe sfidat e këtyre prokurorive në hetimin dhe ndjekjen e veprave të ndryshme penale.  

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka përgëzuar të dy prokuroritë për rezultatet e arritura, duke pohuar se Këshilli Prokurorial është i fokusuar në ofrimin e mbështetjes dhe fuqizimit të integritetit të sistemit prokurorial. “Qëllimi ynë i përbashkët është arritja e objektivave të përcaktuara institucionale dhe, në këtë aspekt, vlerësoj lart punën dhe të arriturat e secilit prokuror, por njëkohësisht kërkoj edhe efikasitet dhe profesionalizëm në të ardhmen”, ka thënë Kryesuesi Bahri Hyseni.   

Duke e vlerësuar punën e deritashme dhe rezultatet e arritura në këto dy prokurori, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar angazhim dhe efikasitet të mëtejshëm në trajtimin dhe luftimin e veprave të ndryshme penale, me theks të veçantë luftimin e korrupsionit, si dhe në kuadër të ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale të ketë rezultate më të mëdha në sekuestrim dhe ngrirjen e pasurisë. Gjithashtu, gjatë këtyre takimeve, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka potencuar nevojën e avancimit të profesionalizmit, llogaridhënies dhe efikasitetit të prokurorëve në trajtimin e rasteve të ndryshme penale. 

Në fund, Kryesuesi i KPK-së dhe Kryeprokurori i Shtetit kanë ofruar bashkëpunim dhe përkrahje për kryeprokurorët, prokurorët dhe stafin mbështetës të prokurorive përkatëse për kryerjen e detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, si dhe do të angazhohen për plotësimin e nevojave me prokurorë të rinj, bashkëpunëtorë profesionalë dhe zyrtarë ligjorë në këto dy prokurori.

Takimet e tilla të krerëve të sistemit prokurorial do të vazhdojnë edhe në prokuroritë e tjera të vendit