Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Krerët e sistemit prokurorial kërkojnë angazhim konkret për forcimin e sundimit të ligjit

Prizren – Ferizaj, 5 prill 2019 – Agjenda e vizitave të Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni dhe Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka vazhduar sot në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Bartësit e sistemit prokurorial janë njoftuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, për punën, të arriturat dhe sfidat e këtyre prokurorive në hetimin dhe ndjekjen e veprave të ndryshme penale në këto dy regjione.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka vlerësuar të dy prokuroritë për rezultatet e arritura, duke pohuar se KPK-ja është e fokusuar në ofrimin e mbështetjes dhe fuqizimit të tërësishëm të sistemit prokurorial, duke kërkuar rritjen e efikasitetit dhe llogaridhënies, sjelljeve etike dhe integritetit të secilit pjesëtar të sistemit prokurorial.

Ndërkaq, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka vlerësuar punën e deritashme dhe rezultatet e arritura nga të dyja prokuroritë, mirëpo edhe përkundër kësaj, ka kërkuar angazhim dhe efikasitet të mëtejshëm në trajtimin dhe luftimin e veprave penale që ndërlidhen me korrupsionin, krimet ekonomike dhe krimet financiare, si dhe luftimin e të gjitha veprimtarive të tjera kriminale, ngaqë kjo, sipas tij, do të ndikojë dukshëm në ngritjen e besimit të publikut në sistemin prokurorial. Gjithashtu, Kryeprokurori Lumezi, ka kërkuar nga prokurorët e këtyre prokurorive të kenë përkushtim dhe integritet të lartë në punën e tyre, duke përfshirë edhe nevojën e avancimit të profesionalizmit dhe llogaridhënies gjatë trajtimit të rasteve të ndryshme penale.

Ndër të tjera, gjatë këtyre takimeve, ishte në fokus edhe forcimi i komunikimit të brendshëm në mes të kryeprokurorëve me prokurorët e prokurorive, Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial, me ç’rast dy krerët e sistemit prokurorial kanë ofruar bashkëpunim dhe përkrahje për kryeprokurorët, prokurorët dhe stafin mbështetës të prokurorive përkatëse për kryerjen e detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, si dhe janë zotuar se do të angazhohen për plotësimin e nevojave të këtyre prokurorive.