Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Bashkërendohen format e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të Këshillit Prokurorial dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë

Prishtinë, 12 prill 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Conell, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, me ç’rast kanë prezantuar format e bashkëpunimit të ndërsjellë, me theks të veçantë emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës. 
 
Me këtë rast, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka thënë se sistemi prokurorial është duke punuar pa ndërprerë për forcimin e sundimit të ligjit, si një ndër vlerat më të rëndësishme për qytetarët e vendit. ”Ne jemi shumë të lumtur që kemi një partner si Mbretëria e Bashkuar, e cila përmes Ambasadës së saj në Kosovë ka krijuar mundësi për ne që të punojmë për arritjen e objektivave të rëndësishme strategjike”, ka thënë Kryesuesi i KPK-së, Hyseni.    
 
Në këtë kontekst, Kryesuesi Hyseni ka theksuar se jemi pajtuar plotësisht me Ambasadorin Ruari O’Conell që projekti i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar të mbështesë avancimin e mëtejshëm të proceseve për rekrutimin e prokurorëve, përmirësimin e sistemet të vlerësimit të performancës së prokurorëve, ndërtimin e mekanizmave për forcimin e integritetit dhe transparencës, fuqizimi i shërbimeve të Sekretariatit të Këshillit dhe zhvillimin e kapaciteteve të përgjithshme të sistemit prokurorial.
 
Nga ana tjetër, Ambasadori O’Conell, ka thënë se është shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës që të besojnë se prokurorët e tyre kanë detyra dhe përgjegjësi shumë të mëdha për të realizuar, andaj duhet të zgjidhen në bazë të meritës dhe të jenë njerëzit më të kualifikuar për pozitat më të ndjeshme, duke mos pasur ndikime politike dhe ndikime nga jashtë. “Projekti britanik ka përkrahur edhe institucione të tjera në Kosovë për të siguruar procese dhe rekrutime të drejta, andaj më vjen shumë mirë që në këtë rast Këshilli Prokurorial ka gjetur mundësinë për të përkrahur bashkëpunimin për ofrimin e mbështetjes për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Shpresoj që ky projekt të jetë një fillim i mirë dhe i mbarë për ngritjen e besimit të qytetarëve ndaj sistemit prokurorial”, ka potencuar Ambasadori Ruari O’Conell.
 
Ambasadori O‘Conell ka përcjellë një mesazh përmes mediave të pranishme për prokurorët e Kosovës, duke thënë atë që e përsërit shpeshherë se ka ardhur koha që prokurorët e Kosovës të shndërrohen në heronj të Kosovës, ngaqë Kosova sfidohet prej krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Krimi që prek Kosovën, prek edhe Britaninë e Madhe”, ka theksuar Ambasadori O’Conell, duke përfunduar se inkurajon të gjithë kandidatët që janë të kualifikuar për këtë vend pune, të aplikojnë, ta sfidojnë edhe projektin britanik, edhe Këshillin Prokurorial, me dëshmi se ata mund të kryejnë punët dhe të sjellin rezultatet që kërkohen prej qytetarëve të Kosovës.
 
Në përfundim të prezantimit para mediave, të dy organizatorët e kësaj konference, kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë dhe të sinqertë për zbatimin e projekteve të financuara nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, të cilat do të kontribuojnë për avancimin e mëtejmë të administrimit të Këshillit dhe Prokurorit të Shtetit.