Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi Hyseni prezanton aktivitetet e KPK-së që ndërlidhen me Agjendën “Drejtësia 2020”

Prishtinë, 17 prill 2019 - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Skënder Çoçaj, kanë mbajtur takimin e tretë të Bordit të Përbashkët të Agjendës “Drejtësia 2020”, takim ky, në të cilin kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare.

Në këtë takim janë trajtuar një sërë çështjesh të rëndësishme për sistemin e drejtësisë në Kosovë, me ç’rast është diskutuar për themelimin e disa mekanizmave të rinj dhe për funksionimin e disa njësive në sistemin e drejtësisë, si dhe është diskutuar për plotësimin e kornizës ligjore, ngritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies  të sistemit të drejtësisë të Kosovës.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka folur për aktivitetet e zhvilluara nga KPK-ja, të cilat lidhen me Agjendën e “Drejtësia 2020”. “Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar Planin Strategjik të sistemit prokurorial 2019-2021, i cili përqendrohet në përmirësimin e efikasitetit, integritetit, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit prokurorial përmes ndërmarrjes së masave specifike që janë të detajizuara në objektiva specifike dhe planin e veprimit”, ka thënë Hyseni.

Gjithashtu, Kryesuesi Hyseni, ka folur edhe për veprimet e ndërmarra nga KPK-ja për hartimin e akteve nënligjore, që ndërlidhen me zbatimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe zbatimin e Ligjit për ndërmjetësimin, si dhe duke prezantuar në mënyrë të përmbledhur punën e bërë nga sistemi prokurorial i Kosovës për zvogëlimin e numrit të lëndëve në prokurori dhe sfidat e këtij sistemi.

Në fund, Kryesuesi Hyseni ka shtuar nevojën e hartimit të një ligji të veçantë, i cili do të bënte rregullimin e procedurave të ekspertizave të nevojshme për sistemin e drejtësisë.