Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Hyseni: Në këtë fillimvit ka progres në trajtimin e rasteve të shenjëstruara

Prishtinë, 23 maj 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka marrë pjesë në publikimin e Raportit të monitorimit të gjykatave për vitin 2018 të BIRN-it dhe “Internevës Kosova”-s.

Lidhur me të gjeturat e këtij raporti, kryesuesi Hyseni, ka thënë se ato janë përgatitur mbi bazën e pasqyrimit të realitetit, andaj rastet individuale të prezantuara në këtë raport tregojnë se duhet të ndryshojmë.

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, tha më tej se edhe pse ka rezultate të konsiderueshme të punës, ende mungojnë rezultatet e parapara objektivat e sistemit prokurorial të Kosovës, duke shtuar se është bërë një progres, por nuk është ai i dëshiruari.

Në vijim, kreu i KPK-së ka theksuar se një ndër objektivat e sistemit prokurorial të Kosovës është përfundimi sa më i shpejtë i rasteve të shenjëstruara, ndërsa fillimi i vitit 2019 vlerësohet shumë mirë, sepse ka progres sa i përket këtyre rasteve.

Sa i përket konfiskimit, kryesuesi Hyseni, tha se rezultatet janë shumë të vogla, nëse krahasohet shuma e sekuestrimeve dhe ajo çka është konfiskuar, por është duke u punuar bashkërisht me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të arritur rezultate sa me të mira në këtë drejtim.

Lidhur me vlerësimin e performacës së prokurorëve, kryesuesi Hyseni, tha: “Jemi në finalizim të Rregullores për disiplinim, rregullore kjo, e cila garanton që do të kemi një situatë më ndryshe. Në këtë drejtim kemi pasur veprime konkrete ndaj prokurorëve që kanë pasur vlerësim të pamjaftueshëm të performancës”.

Kryesuesi Hyseni u pajtua me vlerësimin e raportit për problemet e shfaqura në kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, duke thënë se duhet bërë ndryshime ligjore me qëllim të evitimit të problemeve të shfaqura.

Në fund të fjalës së tij për këtë raport, i cili përmban edhe rekomandime, kryesuesi Hyseni, tha se rekomandimet e këtij raporti për sistemin prokurorial janë të realizueshme.