Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Vlerësohet ecuria e implementimit të Projektit për Menaxhimin e Lëndëve për Gjykata dhe Prokurori (SMIL)

Prishtinë, 29 maj 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z.Bahri Hyseni dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Skënder Çoçaj, pritën në një takim të përbashkët, Drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme Norvegjeze, Niels Engelschion dhe Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad.

Qëllimi i takimit ishte paraqitja e të arriturave pas përfundimit me sukses të fazës kryesore të Projektit për Menaxhimin e Lëndëve për Gjykata dhe Prokurori (SMIL) dhe fillimin e fazës konsoliduese.

Me këtë rast të dy krerët e sistemit të drejtësisë kanë falënderuar dy zyrtarët e lartë norvegjez për  mbështetjen dhe financimin e pakursyer të Projektit për Menaxhimin e Lëndëve për Gjykata dhe Prokurori (SMIL). 

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka theksuar se projekti TIK-SMIL është i veçantë për sistemin prokurorial, sepse digjitalizimi i punës është e arritur e madhe.

Gjithashtu në këtë takim janë prezantuar edhe efektet pozitive të para të përdorimit të SMIL-it në përmirësimin e efikasitetit, llogaridhënies, ngritjen e transparencës dhe kapaciteteve, si dhe rritjen e saktësisë së informacioneve në gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shtetit të Norvegjisë, vlerësuan  lart punën dhe të arriturat e dy Këshillave dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar edhe në të ardhmen të mbështesin këtë projekt si projekt të rëndësisë së veçantë për tërë sistemin gjyqësor në vendin tonë.

Duke pasur parasysh përgjegjësinë e zbatimit të këtij projekti, dy Këshillat paraqiten zotimet e tyre para donatorit për të përmbushur të gjitha obligimet e fazës konsoliduese, me qëllim që projekti të realizohet me sukses, si dhe u pajtuan për vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit reciprok.