Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet punëtori për koordinimin e zyrave dhe zyrtarëve të komunikimit publik në sistemin prokurorial

Prishtinë, 31 maj 2019 - Koordinimi i zyrave dhe zyrtarëve të komunikimit publik në sistemin prokurorial ishte në fokus të sesioneve dyditore të punëtorisë së organizuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës në bashkëpunim me UNDP-në, në të cilën morën pjesë zyrtarët për komunikim publik.

Ndër temat e shtjelluara në këtë punëtori të udhëhequr nga Konsulenti për Marrëdhënie Publike dhe Komunikim i UNDP-së në KPK, Fadil Miftari, ishin rëndësia e funksionimit të komunikimit të brendshëm, në dobi të efikasitet të komunikimit të jashtëm dhe mënyrat e komunikimit interaktiv brenda sistemit me menaxherët.

Gjithashtu është diskutuar edhe rëndësia e koordinimit për zbatimin e Strategjisë për komunikim publik dhe zbatimi i akteve nënligjore, siç është Rregullorja për shërbimin e komunikimit publik në sistemin prokurorial, pastaj roli dhe rëndësia e zyrave dhe zyrtarëve për komunikim publik në sistemin prokurorial, duke marrë shembuj konkretë nga praktikat e Udhëzuesit për zyrtarët për komunikim publik.

Ndërkohë, gjatë zhvillimit të sesioneve të kësaj punëtorie janë identifikuar një sërë sfidash dhe janë diskutuar një mori praktikash të mira të komunikimit me mediat, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në fuqizimin e komunikimit publik dhe në forcimin e imazhit të zyrave të komunikimit të sistemit prokurorial të Kosovës.

I veçantë ishte edhe trajtimi praktik i standardizimit të  komunikimit publik në forma të shkruara, siç është standardi i një komunikate, deklarate, njoftimi dhe Raportit 24 orësh, duke demonstruar modele profesionale të komunikimit me shkrim.

Këshilli Prokurorial dhe UNDP-ja janë të përkushtuara për forcimin dhe zhvillimin e komunikimit publik në sistemin prokurorial, andaj në këtë aspekt do të organizojnë edhe punëtori të tjera në të ardhmen, me mbështetjen finaciare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë.