Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Takim koordinues i Kryesuesit Hyseni me administratën e KPK-së

Prishtinë, 10 qershor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni, së bashku me kryesuesit e komisioneve të përhershme të KPK-së, ka mbajtur një takim të përbashkët me Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit, Drejtorin e Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive dhe udhëheqësit e njësive të tjera të administratës së KPK-së.

Qëllimi i këtij takimi ishte koordinimi i aktiviteteve të përbashkëta në mes të komisioneve të përhershme të KPK-së dhe administratës, në frymën e ndryshimeve të legjislacionit në sistemin prokurorial të Kosovës.

Kryesuesi Hyseni ka kërkuar fuqizim të komunikimit të brendshëm dhe të koordinuar në mes të njësive organizative të KPK-së, por edhe me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokuroritë, duke theksuar së nëse kemi komunikim të brendshëm të suksesshëm, atëherë do të kemi edhe komunikim të jashtëm të koordinuar dhe të suksesshëm.

Me tej, Kryesuesi Hyseni, ka folur edhe për punën që është bërë në harmonizimin e statistikave në sistemin prokurorial të Kosovës, duke shtuar që është bërë një punë e mirë në këtë drejtim, njëherësh, duke kërkuar përmirësim të mëtutjeshëm të harmonizimeve statistikore.

Gjatë këtij takimi është trajtuar edhe tema e implementimit të Projektit për Menaxhimin Elektronik të Lëndëve – SMIL në prokuroritë e Kosovës, me ç’rast Kryesuesi Hyseni ka kërkuar që deri në zbatimin e plotë të SMIL-it të punohet edhe në mënyrën manuale, me qëllim të vazhdimit normal të proceseve të punëve nëpër prokurori.

Në fund të takimit, Kryesuesi i KPK-së ka njoftuar administratën e sistemit prokurorial për punën që është duke u bërë në hartimin e një konceptdokumenti për zbatimin e objektivave të parapara nga KPK-ja, duke kërkuar nga të gjithë pjesëmarrësit të japin kontributin e tyre në këtë konceptdokument.