Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

KPK organizon seminar për prokurorë dhe zyrtarë të komunikimit publik në sistemin prokurorial

Prishtinë, 19 qershor 2019 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ) ka organizuar një seminar dyditor për marrëdhënie me publikun, seminar ky, në të cilin morën pjesë prokurorë dhe zyrtarë për komunikim publik të sistemit prokurorial të Kosovës.

Ekspertët e IRZ-së, Wolf Timan Baumert, Prokuror i Lartë dhe Drejtor i Drejtorisë për Kriminalitet Ekonomik dhe Wolfram Lumpe, ekspert i pavarur i mediave në WDP-DPA, kanë trajtuar metodat e shpjegimit të veprimtarisë dhe aktiviteteve konkrete të prokurorive në media, përfshirë edhe rolin e sotëm të mediave sociale.

Qëllimi i seminarit rrjedhimisht ishte prezantimi i standardeve dhe njohurive gjermane për veprimet e koordinuara të prokurorive me mediat vendore, trajtimi profesional i situatave të caktuara, të cilat sfidojnë veprimtarinë institucionale para publikut, si dhe kuptimi i drejtë i rolit dhe i misionit të komunikimit publik.

Gjithashtu, një vëmendje të veçantë kishte edhe përmbajtja e informimit të mediave me kohë, duke respektuar aspektin procedural, posaçërisht prezumimin e pafajësisë, pastaj procedurat hetimore, procedurat gjyqësore dhe informimin për gjykimet e përfunduara, si rezultat i punës së mirë që bëhet me aktakuzat.

Në këtë kontekst është analizuar dhe debatuar për ditë me radhë ndryshimi i perceptimit dhe besueshmërisë ndaj institucioneve prokuroriale, si përvojë e bartur nga shteti gjerman në Kosovë, duke bërë prezantimin e punës praktike, simulimin e paraqitjes së zëdhënësve para kamerave televizive, analizën e ngjarjeve të caktuara, marrjen e njohurive bazë për shpërndarjen e lajmit burimor, planifikimin dhe publikimin i drejtë dhe të saktë të informacioneve, si dhe praktimin e të folurit të qartë dhe transparent para publikut.

Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar ka mbështetur sistemin prokurorial të Kosovës gjatë viteve të fundit veçanërisht për ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e komunikimit publik dhe mediave.