Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i rregullt i mekanizmit koordinues për rastet e dhunës në familje

 

Prizren, 29 Prill 2024 – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, së bashku me Koordinatoren për rastet e dhunës në familje, prokuroren Mehreme Hoxha, kanë mbajtur takim me grupin koordinues, me përgjegjësit të cilët merren me trajtimin e rasteve dhe veprave penale të dhunës në familje, brenda kompetencës së kësaj prokurorie.

Në këtë takim ishin të pranishëm prokurorët koordinatorë të dhunës në familje, përfaqësues nga Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit, përfaqësues nga Drejtoria e Arsimit në Prizren, mbrojtës të viktimave, përfaqësues nga Zyra për Ndihmë Juridike Falas, përfaqësues nga Qendra e Shëndetit Mendor në Prizren, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, Strehimorja si dhe zyrtarë nga Shërbimi Sprovues.

Në këtë takim, Kryeprokurori Shala kërkoi mobilizim nga të gjitha institucionet që merren me trajtimin e këtyre rasteve, në mënyrë që rastet e dhunës në familje të parandalohen. Po ashtu, kërkoi që këto raste të trajtohen me prioritet, të vlerësohet rrezikshmëria, dhe në secilin rast ku ka bazë ligjore, të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.

Ndërkaq, prokurorja Hoxha, theksoi se rastet e dhunës në familje, janë raste të ndjeshme, dhe kërkoi që kujdes t’i kushtohet viktimave të dhunës në familje, në mënyrë që të njëjtat të mos ri-viktimizohen.

Në këtë takim, të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan lartë bashkëpunimin që ekziston në mes institucioneve kompetente për trajtimin e këtyre rasteve, dhe u theksua se rastet e dhunës në familje, janë rastet më të vështira për trajtim, sidomos sfiduese janë rastet kur kemi të bëjmë me kryes me çrregullime mendore, si dhe me kryes të varuar nga droga, alkooli etj.

Si rezultat i diskutimeve, me qëllim të trajtimit sa më efikas të këtyre rasteve, në fund të takimit nga pjesëmarrësit u nxorrën rekomandimet si në vijim:

  • Rastet e dhunës në familje të mbeten konfidenciale, dhe të mos publikohen në media;
  • Mungesa e terapisë mjekësore tek kryesit me çrregullime mendore dhe tek personat e varur nga droga, alkooli dhe mjetet e tjera dehëse, si dhe mungesa e institucioneve adekuate për trajtimin e këtyre personave;
  • Hapja e strehimoreve të veçanta për viktima/meshkuj mbi 12 vjeç si dhe për viktima të komunitetit LGBT.

Në fund të takimit, të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan që do të vazhdojnë bashkëpunimin, në mënyrë që të gjitha institucionet relevante t’i kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre me përgjegjësi dhe profesionalizëm, në mënyrë që viktimat e dhunës në familje të trajtohen me profesionalizëm dhe me dinjitet të plotë.