Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbledhja, analizimi dhe përdorimi i statistikave për punën e prokurorive, temë e punëtorisë së organizuar nga KPK-ja me ekspertët ndërkombëtarë

29 prill 2024

Komisioni për Administrimin e Prokurorive i KPK-së, i kryesuar nga z.Jetish Maloku, ka organizuar një punëtori dyditore që mbështetet nga Zyra e Këshillit të Europës në Prishtinë, në të cilën marrin pjesë anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kryeprokurorë dhe prokurorë të prokurorive të vendit, Grupi punues i SMIL-it, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, z.Mats Persson dhe zyrtarë të Sekretariatit të KPK-së dhe Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive, kurse përmes pjesëmarrjes online referojnë ekspertët dhe koordinatorët e KOSEJ-it në Sekretariatin e CEPEJ-it, konkretisht përfaqësuesi i Njësisë për Mbështetje në Prokurorinë Publike, z.Vitor Mendonça dhe Prokurori i Lartë Publik nga Portugalia, z.Jose Manuel Santos Pais.   

Në sesionet e zhvilluara sot pati diskutime për zëvendësimin e statistikave manuale me statistika të gjeneruara automatikisht nga Sistemi Informativ i Lëndëve (SMIL), në përputhje me metodologjinë e CEPEJ-it, me ç’rast, kryesuesi i Komisionit për Administrimin e Prokurorive, z.Jetish Maloku, theksoi rëndësinë e trajtimit të praktikave të mira të sistemeve evropiane për cilësinë e të dhënave dhe statistikave dhe për kushtet e nevojshme për të garantuar cilësinë e statistikave të prokurorive të vendit, në përputhje me metodologjinë CEPEJ. 

Gjithashtu në vijim janë diskutuar edhe procedurat e mbledhjes së statistikave dhe cilësia e futjes së të dhënave, ku janë prezantuar online rekomandimet e raportit të ekspertëve nga ekspertja e CEPEJ-it, znj. Ellen Van Dael dhe janë prezantuar raportet manuale statistikore që janë aktualisht në përdorim, si dhe është zhvilluar një diskutim me Grupin Punues të Përdoruesve të SMIL-it për raportet statistikore të disponueshme në SMIL dhe Planin e veprimit për muajt e ardhshëm për zëvendësimin e statistikave manuale me statistika të gjeneruara automatikisht nga SMIL.

Rrjedhimisht, sipas pjesëmarrësve të kësaj punëtorie, objektivi kryesor i tyre është përmirësimi i mbledhjes, analizimit dhe i përdorimit të statistikave për të avancuar cilësinë dhe efikasitetin e prokurorive dhe mbështetja e KPK-së në zëvendësimin e statistikave manuale me statistika të gjeneruara automatikisht nga SMIL-i, si dhe adresimi i numrit të madh të lëndëve të pazgjidhura.

Në sesionet e ditës së nesërme do të prezantohen rastet e pazgjidhura kundër autorëve të panjohur në vendet evropiane dhe gjendja aktuale me lëndët e pazgjidhura në Kosovë, si dhe do të zhvillohen diskutime për trajtimin adekuat të numrit të madh të lëndëve të pazgjidhura në prokuroritë e Kosovës.