Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Plotësimi i kushteve të punës, rritja e efikasitetit, zbatimi i parimit të meritokracisë dhe forcimi i integritetit të administratës së sistemit prokurorial, prioritete të Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së

Prishtinë, 8 prill 2024

Në kuadër të iniciativës për të vizituar të gjitha prokuroritë e vendit, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (SKPK), z.Sami Istrefi, zhvilloi takime me administratorë, bashkëpunëtorë profesionalë, zyrtarë ligjorë, mbrojtës të viktimave dhe zyrtarë të tjerë të administratës së sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.

Gjatë takimeve të zhvilluara në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Prokurorinë e Apelit, Prokurorinë Speciale, prokuroritë themelore dhe Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, Drejtori Istrefi është njohur për së afërmi me gjendjen, nevojat dhe sfidat e administratës në të gjitha nivelet, me ç’rast të gjithë zyrtarët e pranishëm patën rastin që t’i adresojnë çështjet me të cilat përballën gjatë punës së tyre të përditshme.

Rrjedhimisht, Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, z.Sami Istrefi, duke vlerësuar angazhimin, kontributin dhe punën e punonjësve administrativë të sistemit prokurorial, ka shprehur gatishmërinë e tij që brenda kompetencave dhe mundësive të tij ligjore të angazhohet maksimalisht për plotësimin e kushteve dhe nevojave të tyre, në mënyrë që t’i mundësojë institucionit të Prokurorit të Shtetit të realizojnë mandatin e tyre me efikasitet dhe profesionalizëm të madh.

Gjithashtu, z.Istrefi, në këto takime prezantoi vizionet dhe prioritetet e tij, që kanë të bëjnë me ndërtimin e një qasjeje të re dhe proaktive nëpërmjet fuqizimit të komunikimit të brendshëm institucional, si formë dhe mekanizëm i tejkalimit të sfidave të përbashkëta, rritjen e dinamikës së punës dhe efikasitetit të shërbimeve që ofron administrata, avancimin e njohurive nëpërmjet trajnimeve profesionale, forcimin e integritetit, llogaridhënien dhe transparencën, si dhe zbatimin e parimit të meritokracisë, objektivitetit dhe profesionalizmit gjatë proceseve të vlerësimit, ngritjes në detyrë dhe rekrutimit të stafit, të cilat do të zhvillohen në të ardhmen brenda sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.