Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Diskutohet për draftet e katër rregulloreve për administratën e sistemit prokurorial

Prishtinë, 4 prill 2024 

Komisioni për Çështje Normative, i udhëhequr nga Armend Zenelaj, mbajti takimin e radhës, në të cilin mori pjesë anëtari i tij, Bahri Hyseni, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Sami Istrefi, Zyrtarja e Lartë Ligjore në OPDAT në Ambasadën Amerikane, Benina Kusari, eksperti i EUCOJUST-it, Cristian Nicoara dhe udhëheqës departamentesh të sistemit prokurorial.

Qëllimi i takimit të sotëm ishte diskutimi, trajtimi dhe analizimi i katër akteve nënligjore, të hartuara nga grupet punuese, të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e procedurave të ndryshme rekrutuese, klasifikuese, planifikuese dhe disiplinore për stafin administrativ të sistemit prokurorial.

Në takimin e sotëm është theksuar se bazuar në rëndësinë që ka administrata për mirëfunksionimin e sistemit prokurorial janë përgatitur edhe analizat përkatëse ligjore për të mbështetur punën e grupeve punuese për hartimin e këtyre draftrregulloreve.

Me këtë rast, drafti i Rregullores për Procedurat e Rekrutimit për Pranim në Sistemin Prokurorial, drafti i Rregullores për Klasifikimin e Vendeve të Punës, drafti i Rregullores për Planifikimin e Personelit dhe drafti i Rregullores për Krijimin dhe Përbërjen e Komisionit Disiplinor do të publikohen në faqen zyrtare për dëgjim publik për marrrjen e opinioneve përkatëse dhe pas finalizimit do të procedohen për miratim në njërën nga takimet e radhës së Këshillit Prokurorial.