Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryeprokurori Isufaj priti në takim Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, z.Hajdaraj

Prishtinë, 13 mars 2024

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, z.Blerim Isufaj, ka pritur në takim Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Ardian Hajdaraj, Zëvendëskryesuesen e KPK-së, znj.Jehona Grantolli dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, z.Sami Istrefi.

Me këtë rast, Kryeprokurori Isufaj i njoftoi Kryesuesin Hajdaraj dhe Zëvendëskryesuesen Grantolli për punën dhe angazhimet e Prokurorisë Speciale në trajtimin e lëndëve që janë në kompetencë të saj dhe për sfidat me të cilat ballafaqohet kjo prokurori në rrugën përpara.  

Ndër të tjera, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, z.Blerim Isufaj, nënvizoi gjatë takimit të sotëm se, në PSRK ka mungesë të theksuar të kapaciteteve njerëzore për të kryer hetimet dhe ndjekjen e rasteve të rëndësishme, siç janë krimet e luftës dhe raste të tjera. “Një ndër sfidat e prokurorisë që drejtoj është edhe ruajtja e pavarësisë së saj nga ndikimi politik dhe përpjekjet për të siguruar që veprimtaria e saj të jetë e paanshme dhe e drejtë”, tha z.Isufaj.

Me këtë rast, Kryesuesi i KPK-së, z.Ardian Hajdaraj, tha se PSRK-së do t’i ofrohet përkrahje dhe mbështetje për arritjen e synimeve dhe objektivave të planifikuara për vitin 2024, si dhe do të angazhohen për të lehtësuar zbatimin e kompetencave të saj, përfshirë avancimin e kapaciteteve të ndryshme për hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës, krimit të organizuar dhe krimeve të tjera në kompetencë, terrorizmit dhe korrupsionit dhe krimit financiar.