Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës viziton Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

 

Prishtinë, 13 Mars 2024  - Në kuadër të iniciativës për t’i vizituar prokuroritë e vendit, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z. Ardian Hajdaraj, zëvendës-kryesuesja e KPK-së, znj. Jehona Grantolli dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, z. Sami Istrefi, kanë zhvilluar vizitë zyrtare në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit ku janë pritur nga U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi.

Fillimisht, U.D. Kryeprokurori Kelmendi i ka njoftuar të pranishmit me punën e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit në trajtimin e lëndëve që bien në kompetencë të kësaj instance të prokurorisë, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, zbatimin e SMIL-it, si dhe ka adresuar nevojat të cilat i ka Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në funksion të realizimit të mandatit  kushtetues dhe ligjor.

Në anën tjetër, Kryesuesi i KPK-së dhe bartësit e funksioneve të Këshillit Prokurorial që e shoqëronin atë e kanë njoftuar U.D. Kryeprokurorin e Shtetit lidhur me objektivat e tyre, siç janë avancimi i transparencës në sistemin prokurorial përmes publikimit të vendimeve për rastet disiplinore dhe atyre të vlerësimit të performancës, zbatimin e Planit të Sigurisë në të gjitha prokuroritë, si dhe për planet e investimeve kapitale të cilat do të avancojnë procesin e punës në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokurorive tjera.

Në fund, Kryesuesi i KPK-së, z. Hajdaraj, zv. kryesuesja e KPK-së, znj. Grantolli dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit kanë ofruar gatishmërinë e tyre institucionale për mbështetjen e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit në arritjen e objektivave të Planit të Punës për vitin 2024.