Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

U.D. Kryeprokurori i Shtetit priti në takim përfaqësuesit e ekipit vlerësues të INL-së për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë

 

Prishtinë, 12 Mars 2024 – Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, ka pritur sot në takim pune përfaqësuesit e ekipit vlerësues të INL-së për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë, kryesuar nga z Michael Wasco, Këshilltar i Lartë për çështje të Drejtësisë në Byronë e Narkotikëve Ndërkombëtare dhe të Çështjeve të Zbatimit të Ligjit që gjendet në kuadër të  Departamentit Amerikan të Shtetit dhe znj. Dafina Bardhi – Rexhepi, Specialiste e Programeve në INL pranë Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, U.D. Kryeprokurori Kelmendi i njoftoi të pranishmit me rolin, strukturën, funksionimin dhe kompetencat e institucionit të Prokurorit të Shtetit. 

Poashtu U.D. Kryeprokurori Kelmendi, gjatë këtij takimi ka folur edhe për zhvillimin e procesit të vlerësimit të performancës së kryeprokurorëve dhe prokurorëve të shtetit, procedurat e avancimit në karrierë, si dhe funksionimin e mekanizmave disiplinor, konkretisht për procedurat e inicimit të rasteve ndaj prokurorëve.

Temë e diskutimeve të përbashkëta në këtë takim ishte edhe  mbështetja e vazhdueshme e Ambasadës së Shteteve të  Bashkuara të Amerikës dhënë për institucionin e Prokurorit të Shtetit në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Në fund të takimit U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi falënderoi z. Wasco për vizitën në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, me ç’rast ka vlerësuar lartë ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Ambasadës së Shteteve të  Bashkuara të Amerikës dhënë për nevojat e sistemit prokurorial.