Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Aktakuzë për shitblerje të narkotikëve

 

Prizren, 20 Shkurt 2024 - Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit G.I., i cili gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri G.I., me datë 01.12.2023 rreth orës 23:10min në Pikë Kalimin Kufitar të Vërmicës, saktësisht në hyrje nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, importon substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që i pandehuri pasi siguron narkotikun në një vend të panjohur në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet autobusit pronë e një prej kompanive turistike, e depërton narkotikun në Republikën e Kosovës, mirëpo në hyrje të kufirit, i njëjti autobus së bashku me pasagjerët selektohet për kontroll të detajuar në vijën e dytë të kontrollit, dhe gjatë kontrollimit të përbashkët në mes të zyrtarëve policor dhe atyre doganor, haset një çantë krahu në vendin ku vendosen valigjet e krahut në pjesën e bagazhit sipër në autobus, dhe sekuestrohet një qese najloni me substancë të dyshuar për narkotikë, e cila substancë narkotike pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, rezulton të jetë e llojit kanabis (marihuana), nga matjet neto me peshë të përgjithshme prej 655.97 gram.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.