Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

U.D. Kryeprokurori i Shtetit në konferencën “Ditët e Gjyqësorit”: Bashkërisht të mbrojmë pavarësinë tonë kushtetuese

 

Prishtinë, 24 Nëntor 2023 – Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, ka marrë pjesë në aktivitetin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), “Ditët e Gjyqësorit”, ku ishin prezent kryetarë të gjykatave, kryeprokurorë të prokurorive, gjyqtarë dhe prokurorë nga instanca të ndryshme si dhe partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, U.D. Kryeprokurori Kelmendi, ndër të tjera ka folur për rëndësinë e ruajtës së pavarësisë së sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor, ku ka bërë thirrje që bashkërisht, si gjyqtarë dhe prokurorë, të mbrojnë pavarësinë kushtetuese përballë atyre që tentojnë ta cenojnë këtë pavarësi, si dhe të tregojnë guxim me u përballë me të gjitha sfidat duke mbrojtur ligjin dhe Kushtetutën.

Po ashtu, U.D. Kryeprokurori i Shtetit gjatë adresimit të tij, ka vënë theksin edhe të sfidat e përbashkëta që gjykatat dhe prokuroritë përballën gjatë punës së tyre, veçmas me mungesën e numrit të prokurorëve në raport me numrin e gjyqtarëve penalist, ku si rrjedhojë e numrit të pamjaftueshëm të prokurorëve paraqitën vështirësi për të përfaqësuar rastet në gjykata.

Gjithashtu, si sfidë u theksua edhe mungesa e mbrojtësve të viktimave të krimit, sepse me numrin aktual të mbrojtësve të viktimave do të pamundësohet mbajtja e seancave gjyqësore, veçmas pas hyrjes në fuqi të Ligjit për rastet e Dhunës në Familje, ku pjesëmarrja e mbrojtësve të viktimave në procedurën penale është e obliguar.

Lidhur më këto çështje, U.D. Kryeprokurori Kelmendi ka bërë thirrje që institucionet përkatëse të kenë parasysh kërkesat dhe nevojat buxhetore të sistemit prokurorial për shtimin e numrit të prokurorëve dhe numrit të mbrojtësve të viktimave të krimit. 

U.D. Kryeprokurori Kelmendi ka folur edhe për çështje tjera profesionale, konkretisht për zbatimin e masës së paraburgimit dhe masat teknike të vëzhgimit dhe hetimit, të cilat çdo herë duhet të mbështetët në dyshim të bazuar, prova dhe ligj.

Në fund, U.D. Kryeprokurori Kelmendi, ka falënderuar të gjitha gjykatat dhe prokuroritë për gatishmërinë e treguar në përfaqësimin e rasteve të Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore në Mitrovicë, pas situatës së krijuar me rastin e ofrimit të dorëheqjeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve nga komuniteti serb.