Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

U.D. Kryeprokurori i Shtetit vizitoi Prokurorinë Themelore në Prizren

 

Prishtinë, 10 Nëntor 2023 - Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, së bashku me prokurorin përgjegjës nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për monitorimin e punës së Prokurorisë Themelore në Prizren, z. Idain Smailji, ka vizituar Prokurorinë Themelore në Prizren ku është pritur nga Kryeprokurori, z. Admir Shala dhe prokurorët e kësaj prokurorie.

Kryeprokurori Shala e ka njoftuar U.D. Kryeprokurorin Kelmendi me rezultatet në trajtimin e rasteve penale, efikasitetin në zgjidhjen e lëndëve përmes procedurave alternative, trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje, atyre të korrupsionit dhe rasteve tjera që bien në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Prizren.

Kryeprokurori Shala ka folur edhe për sfidat e kësaj prokurorie dhe nevojën që në të ardhmen kjo prokurori të sistemohet në objekt të ri.

Në anën tjetër, U.D. Kryeprokurori Kelmendi, ka vlerësuar punën e Prokurorisë Themelore në Prizren, me ç’rast ka shprehur gatishmërinë e tij që brenda kompetencave ligjore t’iu ofrojë  mbështetje prokurorëve të kësaj prokurorie në punën e tyre profesionale. 

Gjatë kësaj jave, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Prokurorinë e Apelit, Prokurorinë Speciale dhe në shtatë (7) prokuroritë themelore.  

Qëllimi i këtyre vizitave ishte bashkëbisedimi për të gjitha çështjet profesionale, identifikimi dhe tejkalimi i sfidave të përbashkëta, si dhe adresimi i nevojave dhe kërkesave të prokurorive respektive në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.