Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

KOMUNIKATË E PËRBASHKËT PËR MEDIA NGA PROKURORIA THEMELORE NË PRISHTINË DHE POLICIA E KOSOVËS

 

Prishtinë, 11 tetor 2023 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës-Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, kanë zhvilluar hetime intensive, me qëllim të zbardhjes së veprimtarisë kriminale të disa personave të dyshuar në kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Më  datë 10.10.2023, në bashkërendim u realizua operacioni policor, ku janë arrestuar pesë (5) persona, të cilët dyshohen se në mënyrë të organizuar si grup kriminal kanë kryer vepra penale si: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 277 lidhur me veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Kontrabandimi me migrantë”, sipas KPRK-së.

Në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike dhe planeve operacionale, që kanë për qëllim luftimin e veprimtarive kriminale, që ndërlidhen me fushën e krimit të organizuar, operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës Jugore, i cili ka përfshirë pesë (5) lokacione të ndryshme.

Gjatë realizimit të operacionit policor janë arrestuar të dyshuarit me iniciale si në vijim: 

  1. K. K.                viti i lindjes 1965         m/kosovar
  2. G. T.                viti i lindjes 1969         m/shqiptar/Shqipëri  
  3. E. A.                viti i lindjes 1970         m/kosovar       
  4. H. H.               viti i lindjes 1978         m/kosovar
  5. E. R.                viti i lindjes 1992         m/kosovar 

Gjatë kontrollit të kryer në prona/shtëpi banimi, janë gjetur pajisje për prodhimin e dokumenteve të udhëtimit për në shtete të ndryshme të cilat janë sekuestruar në cilësi të provave materiale: 

  • (21) pasaporta të shteteve të ndryshme evropiane,
  • (5) leje qëndrimi, letërnjoftime dhe patentë shoferë të shteteve të ndryshme,
  • Pajisje dhe materiale te ndryshme elektronike që dyshohen për prodhimin e dokumenteve,
  • (4) telefona mobilë,
  • (1860) euro
  • (48700) lekë
  • (10) funta
  • (395) lira turke
  • (1) veturë me targa të Kosovës
  • (1) veturë me targa të Shqipërisë 

    Me vendim të Prokurorit të Shtetit, pesë (5) të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje, si dhe për të njëjtit është ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në drejtim të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.