Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Aktakuzë kundër dy të pandehurave në rastin e keqtrajtimit të fëmijës në çerdhen në Fushë Kosovë

 

Prishtinë, 9 tetor 2023– Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurave N.M. dhe N.H., për shkak të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 3, pika 3.1 lidhur me paragrafin 1, pika 1.4 të KPRK-së. 

Sipas aktakuzës, të pandehurat, në cilësinë e personave zyrtar, konkretisht staf i angazhuar në  Institucionin Parashkollor “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, duke e keqtrajtuar të dëmtuarin e mitur brenda hapësirave të këtij institucioni, ku si pasojë e këtyre veprimeve të njëjtat kanë kryer veprat penale të lartcekura. 

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurat të shpallen fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.