Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Koordinatorja e rasteve të dhunës në familje në Prokurorinë e Prishtinës shpalosë të arriturat dhe sfidat në trajtimin e këtyre rasteve gjatë tryezës së diskutimit e organizuar nga GLPS dhe CDF

 

Prishtinë, 7 shtator 2023 – Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Mimoza Shala, njëheri koordinatore e dhunës në familje në këtë prokurori, në cilësinë e panelistet së tryezës së organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF), ka diskutuar lidhur me trajtimin e rasteve të dhunës në familje, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen prokurorët të cilët i trajtojnë këto raste.

Prokurorja Shala, prezantoi statistika të rasteve të pranuara të dhunës në familje dhe atyre të zgjidhura nga Prokurorët e Shtetit, ndërsa potencoi se efikasiteti i trajtimit të rasteve të tilla përgjatë periudhës Korrik 2022-Qershor 2023 në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka rezultuar me 80.79%.

Në këtë tryezë diskutimi, prokurorja Shala theksoi njërën nga sfidat me të cilën janë duke u ballafaquar prokurorët gjatë procedurës penale, atë të zbatimit të nenit 124 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, e cila dispozitë i jep të drejtë viktimës të mos detyrohet të dëshmojë për atë se çfarë i ka ndodhur, kështu duke e vështirësuar ndjekjen e kryesve të dhunë në familje.

Po ashtu, e njëjta rekomandoi në angazhimin maksimal nga të gjitha institucionet të cilat janë pjesë e trajtimit të rasteve të dhunës në familje, me qëllim të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për raportimin e këtyre rasteve, ofrimin e mbrojtjes për viktimat e krimit, me theks të veçantë në sensibilizimin e tyre, duke ndërmarrë masat e duhura për të parandaluar, hetuar, ndjekur penalisht e ndëshkuar kryesit e këtyre veprave penale, si dhe për të pasur gatishmëri e përgjegjësi institucionale në mbrojtjen e të drejtave të viktimave të krimit.