Milot Krasniqi
Anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës
Milot Krasniqi është zgjedhur anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) nga radhët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në muajin mars 2024.
Funksionin e prokurorit e ushtron nga viti 2016, vit ky, kur ishte dekretuar prokuror dhe ishte caktuar që të shërbejë në Prokurorinë Themelore në Prizren.
Në vitin 2020 ishte avancuar në detyrë, duke kaluar nga Prokuroria Themelore në Prizren në Prokurorinë Speciale.
Studimet themelore i ka kryer në Fakultetin Juridik në UP, më 2009, më pas ato Master më 2011, si dhe studimet e Doktoratës në Shkenca Juridike-Penale, më 2020, kur me sukses të dalluar kishte mbrojtur disertacionin e doktoratës me temë “Ndërmjetësimi si mënyrë alternative e zgjidhjes së çështjes penale”, duke fituar titullin “Doktor i Shkencave Juridike - Penale”. Më 2013, Qeveria e Republikës së Turqisë i kishte ndarë bursë për studime të doktoratës në Universitetin “Hacettepe” në Ankara.
Për arritje të shkëlqyeshme në studime, më 2009, Rektori i Universitetit të Prishtinës ia kishte ndarë Çmimin “Student i Dalluar”, si dhe ka qenë bursist i rregullt në të dy nivelet e studimeve. Në një mandat nga viti 2008 - 2010 ka qenë anëtar i Këshillit të Studentëve të Fakultetit Juridik dhe anëtar i Këshillit të Fakultetit Juridik nga radhët e studentëve.
Karrierën profesionale e ka nisur më 2010 në detyrën e Zyrtarit Ligjor në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kurse më pas ishte punësuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), tani: Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), më 2012, në pozitën e Këshilltarit Ligjor, detyrë kjo, të cilën e kishte ushtruar deri në zgjedhjen dhe dekretimin si Prokuror i Shtetit, më 2016.
Gjatë përvojës dhe angazhimeve profesionale ka ndjekur një mori trajnimesh profesionale vendore, regjionale dhe ndërkombëtare, konferenca shkencore dhe nisma të tjera nga fusha akademike dhe juridike-penale.
Në vitin 2022 është emëruar përfaqësues i Republikës së Kosovës në projektin e EUROJUST-it në Hagë “WB Crime Just Project” (Western Balkan Partners), 2022-2026.
Ka të publikuara disa punime shkencore të natyrës juridike-penale në revista ndërkombëtare dhe është i angazhuar si profesor në një kolegj privat të arsimit të lartë në vend.
Përveç gjuhës amtare, flet dhe shkruan gjuhën angleze.
Jeton dhe vepron në Prishtinë.