Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së priti në takim njohës Koordinatorin Rajonal të Sundimit të Ligjit, z.Bart de Brujin

Prishtinë, 29 shkurt 2024

Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, z.Sami Istrefi, priti në një takim njohës Koordinatorin Rajonal të Sundimit të Ligjit, z. Bart de Brujin dhe Zyrtaren e Lartë të Sundimit të Ligjit, znj.Venera Ramaj, të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Prishtinë.

Drejtori i Përgjithshëm, z.Istrefi, falënderoi koordinatorin De Brujin për vizitën e tij dhe shpalosi prioritetet dhe objektivat për funksionalizimin dhe avancimin e sektorit të administratës së Këshillit Prokurorial dhe Institucionit të Prokurorit të Shtetit, duke theksuar nevojën e mbështetjes së mëtejshme nga ana e Ambasadës së Holandës në Kosovë.

Jemi jashtëzakonisht të interesuar, ndër të tjera, për të fuqizuar edhe transparencën publike dhe për të përmirësuar besueshmërinë dhe perceptimin e publikut në sistemin prokurorial”, tha më këtë rast Drejtori Istrefi. 

Nga ana tjetër, Koordinatori Rajonal për Sundim të Ligjit, z. Bart de Brujin, falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm, z.Sami Istrefi, për pritjen, duke nënvizuar se përkrahja dhe mbështetja e tyre do të realizohet përmes projekteve të ndryshme që ndërlidhen me ngritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve të administratës së sistemit prokurorial.

Në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit janë shprehur për forcimin e bashkëpunimit të nevojshëm, në mënyrë që përmes mbështetjes së sektorit të administratës të ndihmohet edhe avancohet sundimi i ligjit në Kosovë.