Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet punëtori për prezantimin, diskutimin dhe finalizimin e draftit të Rregullores për Zyrёn pёr Mbrojtje dhe Ndihmё Viktimave

Prishtinë, 28 shkurt 2024

Komisioni për Çështje Nomative i Këshilli Prokurorial të Kosovës, i udhëhequr nga prokurori Armend Zenelaj, i mbështetur nga Programi i Departamentit të Drejtësisë për Ndihmë, Trajnim dhe Zhvillim Prokurorial Jashtë Vendit (OPDAT), ka organizuar një punëtori për prezantimin, diskutimin dhe finalizimin e draftit të Rregullores për Zyrёn pёr Mbrojtje dhe Ndihmё Viktimave.

Në këtë punëtori morën pjesë Kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, Zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli, anëtarë të KPK-së, Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, zyrtarë të ZMNV-së, përfaqësues të OPDAT-it nga Ambasada Amerikane dhe të projektit EUKOJUST.

Në ketë punëtori është diskutuar për draftin e Rregullores për Mandatin, Strukturën, Funksionimin dhe Organizimin e Zyrёs pёr Mbrojtje dhe Ndihmё Viktimave, me ç’rast që në fillim u tha se një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet qëllimeve, fushëveprimit, parimeve dhe kompetencave të ZMNV-së, zyrë kjo, e cila funksionon e pavarur në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Gjithashtu, në fokus të sesioneve të punëtorisë, ishte shqyrtimi i rolit dhe strukturës organizative të zyrave regjionale dhe trajtimi i funksionimit dhe i organizimit të ZMNV-së gjatë ofrimit të mbështetjes dhe përfaqësimit të viktimave të dhunës në prokurori dhe gjykata.

ZMNV-ja ofron shërbime për viktimat e krimit gjatë procedurave ligjore dhe përfaqëson interesa e tyre në sistemin e drejtësisë penale në rastet e parapara me ligj edhe për çështje civile.