Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet tryezë për vlerësimin e infrastrukturës së arkivave dhe teknologjisë informative në sistemim e drejtësisë

Prishtinë, 20 janar 2022 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, ka marrë pjesë në tryezën për prezantimin e raporteve të vlerësimit rreth infrastrukturës gjyqësore, arkivave dhe TIK-ut, e cila është organizuar nga Programi i BE-së për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST).

Në këtë tryezë, përveç Kryesuesit Maloku, kanë marrë pjesë edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, udhëheqësi i Projektit, Volkmar Theobald, përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian dhe zyrtarë të tjerë të KPK-së dhe KGJK-së.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryesuesi Maloku, tha se janë të përkushtuar që ta përmirësojnë edhe më tej infrastrukturën nëpër prokurori për të krijuar një ambient sa më të përshtatshëm të punës për stafin e prokurorive, ku komponenta e IT-së luan një rol kyç për arritjen e këtij qëllimi. “Ne kemi hyrë intensivisht në  fazën e tranzicionit nga puna manuale në atë digjitale dhe këtë e kemi pasqyruar edhe si objektiv strategjike në Planin strategjik të sistemit prokurorial të Kosovës.", tha Kryesuesi Maloku.

Me tej, Kryesuesi i KPK-së, tha se gjer më tani, në kuadër të digjitalizimit të punës nëpër prokurori, janë vënë në zbatim disa sisteme elektronike, prej të cilave veçoi sistemin për aplikim online për pozitën e prokurorit, po ashtu edhe të menaxhimit të dosjeve personale të prokurorëve, që përfshijnë procesin e vlerësimit të performancës dhe disiplinimit dhe një ndër sistemet më kryesore dhe më komplekse - ai i menaxhimit të lëndëve në prokurori (SMIL).

Në fund, kryesuesi Maloku, tha se shpreson në mbështetjen e këtij projekti në avancimin e teknologjisë informative dhe digjitalizimin e dokumentacionit të grumbulluar arkivor në sistemin prokurorial të Kosovës.