Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Një muaj paraburgim të dyshuarit për narkotikë

Mitrovicë, 24 dhjetor 2021 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë  - Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin M.V., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Te i dyshuari gjatë kontrollimit të banesës në fshatin Leshak të Leposaviqit, i është gjetur dhe konfiskuar substancë narkotike që dyshohet të jetë e llojit kokainë, me peshë 1,287 gramë dhe një sasi e të hollave në euro dhe dinarë, e që dyshohet se janë fituar nga shitja e substancave narkotike.

Në seancën dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit, të mbajtur para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit prej një (1) muaji.