Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

NJOFTIM PËR MEDIA

Gjakovë, 22 maj 2021 – Prokuroria Themelore në Gjakovë me anë të këtij njoftimi drejtuar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) por edhe opinionit të gjerë publik bënë të ditur se lidhur me rastin e gazetarit Mentor Gjergjaj, janë ndërmarrë veprimet si në vijim:

Më datë 03.05.2018, gazetari Mentor Gjergjaj, ka denoncuar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë personin Genc Abileka për kanosje.  Pas denoncimit, Prokuroria i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në ndriçimin e plotë të këtij rasti, dhe me datë 26.12.2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Genc Abileka, për kanosje ndaj gazetarit.   

Prandaj, çfarëdo pretendimi i gazetarit në fjalë se Prokuroria nuk ka ndërmarrë veprime lidhur me denoncimin e tij është i pasaktë.  

Ndërkaq, në vitin 2019, Genc Abileka, ka parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj gazetarit Mentor Gjergjaj, me dyshimin se gazetari ka kryer vepër penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuar” në ambientet e shtëpisë private.  

Kjo lëndë në vitin 2020 ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë Themelore të Gjakovës për trajtim të mëtutjeshëm. Pas pranimit të këtij kallëzimi penal, Prokuroria ka ndërmarrë veprime me qëllim të verifikimit të pretendimeve të paraqitura në kallëzimin penal nga pala ankuese.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria nuk ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, por vetëm veprime të cilat dërgojnë në sqarimin e plotë të këtyre pretendimeve.

Po ashtu, në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me zbulimin e burimit të informacionit të gazetarit, por me pretendimet se nga ana e gazetarit është kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

Prokurori i Shtetit si institucion i pavarur dhe i paanshëm gjatë punës së tij do të bazohet në ligj dhe do t’i shërbejë vetëm drejtësisë, pavarësisht profesionit apo pozitës së cilitdo qytetarë.