Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Reagim i përbashkët i KGJK-së dhe KPK-së

Prishtinë, 27 qershor 2022 - Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) reagojnë lidhur me deklaratën e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, z. Dimal Basha, i cili ka komentuar rreth çështjes së vetingut për gjyqtarë dhe prokurorë, përmes shkrimit në portalin Insajderi.org, të datës 24.06.2022, me titullin: ”Deputeti i Vetëvendosjes për prokurorët e gjykatësit kosovarë: Nuk dallojnë me ata të Millosheviqit”.

KGJK-ja dhe KPK-ja, shprehin pakënaqësi dhe konsiderojnë se deklarata e deputetit Basha është e papranueshme dhe ka për qëllim cenimin e integritetit, pavarësisë dhe dëmtimin e imazhit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në përgjithësi. Një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të jetë shembull i respektimit të organeve zbatuese të ligjit dhe të përmbahet nga deklarimet e tilla që janë kundërshtim me rendin dhe parimet kushtetuese e ligjore.

Deklaratat dhe reagimet e tilla nuk i kontribuojnë bashkëpunimit të institucioneve me sistemin gjyqësor dhe prokurorial, prandaj KGJK-ja dhe KPK-ja u bëjnë thirrje deputetëve që të kontribuojnë duke reflektuar dhe duke respektuar pavarësinë e të dy sistemeve.

Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i sigurojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojnë të angazhohen për një sistem gjyqësor dhe prokurorial të pavarur, transparent dhe të paanshëm. Prandaj, i bëjmë thirrje deputetit Basha që të evitojë këtë lloj të deklaratave, që, në këtë rast, sipas vlerësimit të KGJK-së dhe KPK-së, është fyese, denigruese dhe përpjekje e pasuksesshme për njollosje dhe etiketim të vlerave të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në përgjithësi.

Theksojmë se sistemi gjyqësor dhe prokurorial i Republikës së Kosovës përbëhet nga institucione profesionale, të themeluara me Kushtetutë dhe ligje, të cilat janë të përkushtuara në përmbushjen e misionit, vizionit dhe objektivave të tyre dhe janë të pandikuara nga çfarëdo pretendimi.