Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

NJOFTIM NGA PROKURORIA SPECIALE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Prishtinë, 19 maj 2022 - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik në lidhje me artikullin e botuar në “Koha.net” me titullin “I mbijetuari i masakrës së Dubravës kërkon që Prokuroria të zgjohet nga gjumi”.

Prokuroria Speciale njofton opinion publik se hetimet në lidhje me rastin e Dubravës janë duke vazhduar. Për hir të korrektësisë, ju njoftojmë se fillimisht, ky rast ka qenë i pezulluar për shkak të mungesës së të pandehurve dhe ruajtjes së afatit ligjor prej 2 vitesh të hetimeve. Mirëpo, me miratimin e plotësim-ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, në qershor të vitit 2021, me ç‘rast është hequr afati i hetimeve dhe është lejuar gjykimi në mungesë, dosja penale është riaktivizuar për procedurë hetimore.

Në këtë fazë të procedurës, hetimet kanë arritur të identifikojnë rreth gjashtëdhjetë (60) të dëmtuar të rastit të Dubravës, të cilët janë intervistuar, duke përfshirë edhe Enver Dugollin dhe Bedri Kukalaj. Sipas shkresave të lëndës, Enver Dugolli, u  intervistua më datë 06.11.2013, kurse, Bedri Kukalaj, u  intervistua më datë 04.08. 2011, nga Prokurori i EULEX-it në PSRK.

Deri më tani hetimet kanë arritur të identifikojnë dyzetekatër (44) të pandehur të cilët dyshohen se janë të përfshirë në kryerjen e veprës  penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”  e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish RSFJ-së  si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës ( tutje ‘’KPRK’’).

Në lidhje me këtë rast janë identifikuar gjashtëdhjetë (60) të dëmtuar dhe njëqind (100) dëshmitarë të cilët janë intervistuar nga organet e rendit.

PSRK njofton se janë duke ndërmarr veprime procedurale hetimore me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit, mirëpo për shkak të konfidencialitet të procedurës, nuk mund të ndaj më shumë informacione me publikun.