Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Komunikatë e përbashkët për media nga Prokuroria Speciale dhe Inspektorati Policor i Kosovës

Prishtinë, 08 prill 2022 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht punonjësit nga të gjitha Departamentet operative të saj kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit një operacion të gjerë në kuadër të autorizimeve dhe fushëveprimit ligjor të IPK-së. 

Operacionit të sotshëm (i koduar me emrin “Pika 2”) i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. 

Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit. 

Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) dhe zyrtarët e AMP-së Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri).

IPK do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve që kanë për qëllim fuqizimin e integritetit policor.