Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, me rastin e mbajtjes së Konferencës Vjetore të Prokurorëve

E nderuara Kryetare e Gjykatës Kushtetuese; znj. Gresa Caka – Nimani;

I nderuar Kryetar i Gjykatës Supreme, z. Enver Peci;

E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu; 

I nderuar kryesues i Këshillit Gjyqësor, z. Albert Zogaj dhe Kryesues i Këshillit Prokurorial, z. Jetish Maloku; 

Shkëlqesia Juaj, Ambasador i SHBA-së, z. Jeff Hovenier;

Shkëlqesia Juaj, Ambasador i BE-së në Kosovë, z .Tomas Szunyog;

Shkëlqesia Juaj, Ambasadore e Francës në Kosovë, znj; Marie Chrtistine - Butel;

I nderuar Shef i Misionit të Eulex-it, Ambasador z. Lars Wigemark; 

E nderuara zëvendës-ambasadore e Zvicrës, znj. Pulina Mentthonnex;

Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike dhe partnerë tjerë ndërkombëtarë;

Të nderuar përfaqësues të mediave dhe shoqërisë civile;

Të nderuar kryeprokurorë të prokurorive dhe Ju prokurorë;

Është kënaqësi që për herë të shtatë, në cilësinë e Kryeprokurorit të Shtetit, të ju drejtohem në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, edhe pse jam i vetëdijshëm që ka pasur të tillë që pyesnin veten nëse do t’ju uroja mirëseardhje edhe këtë vit.

Më lejoni t’ju falënderoj që jeni përgjigjur ftesës për të madhështuar këtë ngjarje të rëndësishme, që ka institucioni i Prokurorit të Shtetit, i cili, sikurse në gjashtë vjetët e kaluara të mandatit tim, ashtu edhe në periudhën e fundit dymbëdhjetë (12) mujore ishte i mbushur me sfida, të cilat ishin më intensive se kurrë.

Nga intensiteti i këtyre sfidave është fakt që kemi treguar se jemi të gatshëm dhe jemi në gjendje të reagojmë në mënyrë adekuate në të gjitha situatat.

Nuk ka fare dilemë se në periudhën e kaluar është bërë një punë mjaft e madhe, gjë që vërtetohet edhe nga rezultatet konkrete.

Gjatë vitit të kaluar kemi treguar efikasitet të mirë duke zgjidhur 50 mijë e 118 lëndë penale të natyrave të ndryshme.

Kemi zgjidhur 793 raste të ndryshme të korrupsionit, respektivisht, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ku kemi akuzuar ish-ministra të Qeverisë së Kosovës, sekretarë të ministrive, zyrtarë të lartë të shërbimit inteligjent, kryetarë të komunave, policë dhe zyrtarë tjerë shtetëror.

Me plotë të drejtë mund të them se para disa viteve as nuk është imagjinuar e lëre më të ndodhë ndjekja penale dhe të ngriten aktakuza ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. E kjo sot është bërë një realitet i përditshëm.

Sipas urdhrave të Prokurorisë, gjatë vitit të kaluar janë ndërmarrë masa dhe veprime, të cilat kanë rezultuar me zbardhjen e veprave më të rënda penale. Ndërsa janë privuar nga liria dhe janë proceduar penalisht shumë pjesëtarë të grupeve të ndryshme kriminale, ku vlen të përmenden:

Aksioni i subvencioneve, ku kemi arrestuar me dhjetëra zyrtarë, aksioni për konfiskim të 400 kilogramëve narkotikë të llojit kokainë; Rasti “Call-Center”, ku kemi bashkëpunuar me autoritetet gjermane, Rasti “Brezovica”, Rasti “Thesari”, etj.

Në këtë mënyrë kemi vërtetuar edhe një herë se puna e përbashkët ekipore e prokurorëve dhe policëve hetues ka dërguar porosi të qarta te të gjithë pjesëtarët e grupeve kriminale se nuk mund të vihen mbi institucionet e shtetit.

Fakti që edhe Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021 i organizatës ndërkombëtare  “Transparency International”, thekson se Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit duke u ngritur për 17 vende, kjo dëshmon se skema e besimit të publikut  sot në sistemin e drejtësisë ka lëvizur në kahun pozitiv.

Sot, edhe pse me hapa të vegjël, ne jemi një shtet me drejtësi më të besueshme sesa dje dhe kjo duhet të na inkurajojë. 

Edhe pse shpeshherë kemi dëgjuar kritika për aktakuza të dobëta të dërguara në gjykata, më duhet të theksoj se pohime të tilla kryesisht dëgjohen në mungesë të argumenteve të tjera.

Dua të theksoj se statistikat janë ato që tregojnë për cilësinë e akteve akuzuese, ku vetëm gjatë vitit të kaluar, falë aktakuzave të prokurorëve të shtetit me aktgjykime dënuese janë zgjidhur me shumë sesa 94 % e rasteve të dërguara në gjykata.

Kënaqësia ime sot është shumë herë më e madhe sesa vitin e parë, pasi që secili vit pasues ka sjellë të arritura të reja në sistemin prokurorial, si rezultat i një pune të mirëorganizuar, transparente dhe të përgjegjshme të prokurorëve të shtetit.

Ne jemi të vetëdijshëm se rreziqet bashkëkohore të drejtësisë dhe sigurisë nuk mund të zgjidhen nga një shtet i vetëm, prandaj kemi rritur bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtarë, si në rastet e terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ashtu edhe për krimet e tjera transnacionale, duke parë se këto vepra penale tejkalojnë kufijtë kombëtarë dhe paraqesin rrezik edhe për vendin tonë. Kjo, jo vetëm që ishte një sfidë, por edhe një detyrim i shtetit tonë.

Vëmendje të posaçme iu kemi kushtuar edhe të gjitha kërkesave për ndihmë juridike ndërkombëtare që kanë ardhur nga shtetet e tjera. Në këtë fushë kemi zgjidhur 231 kërkesa, që iu kemi kthyer shteteve të huaja për t’i vënë kryerësit e veprave para përgjegjësisë penale.

Edhe në periudhën e kaluar jemi përpjekur të jemi bashkëpunues me partnerët ndërkombëtarë, si me: Ambasadën e SHBA-së, Zyrën e BE-së, EULEX-in, Ambasadën e Britanisë së Madhe, etj., të cilët kanë kontribuar në rritjen pavarësisë, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit prokurorial në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Në fakt, ky është edhe qëllimi ynë, që këto standarde të jenë pjesë e veprimtarisë tonë të përditshme dhe të mos përmbushën vetëm për hir të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe për veten tonë.

Kur bëhet fjalë për transparencë, jemi dëshmitarë se kemi arritur rezultate të dukshme. Që nga fillimi jemi përpjekur që komunikimin me mediat dhe publikun ta zhvillojmë kryesisht përmes rrugëve zyrtare.

Marrëdhënia profesionale me media dhe opinionin publik nuk ishte vetëm obligim, por edhe nevojë e kohës.

Prandaj, kemi rekrutuar zyrtarët për komunikim në secilën prokurori, si dhe kemi hartuar Strategjitë për komunikim publik.

Të nderuar të pranishëm,

Do të ishte gabim të thuhej se kemi realizuar të gjitha ato që i kemi planifikuar, por do të ishte posaçërisht e padrejtë dhe jokorrekte të mos përmendet se sistemi prokurorial sot është disa hapa përpara asaj që kemi qenë para disa viteve.

Më lejoni të konstatoj se sot jemi një institucion me një imazh të ndryshuar, ku kemi vlerësime edhe nga pushtetet e tjera për aksionet e ndërmarra së bashku me Policinë e Kosovës kundër grupeve kriminale.

Me këtë rast, dëshiroj t’jua përkujtojë mirënjohjet, të cilat na kanë ardhur nga institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Një e tillë ka ardhur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka vlerësuar Kosovën për luftimin e kërcënimit të terrorizmit, duke theksuar bashkëpunimin tonë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga Prokuroria e Italisë dhe ajo e Shqipërisë për rastin e bashkëpunimit në hetimin dhe konfiskimin e 400 kilogramëve narkotikë të llojit kokainë, si dhe nga autoritetet gjermane për hetimin në rastin e njohur si “Call-Center”, ku vetëm në këtë rast kemi ngrirë dhe sekuestruar para të gatshme dhe gjësende të tjera që kapin shifrën prej afro tre (3) milionë eurove. 

Edhe përkundër faktit që kemi bërë mjaft nuk do të thotë se kemi bërë mjaftueshëm. Natyrisht se dua të tërheq vëmendjen se duhet të jemi më proaktivë në hetimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë.

Dua t’jua kujtoj se pasojat e korrupsionit për shoqërinë janë shumë të mëdha, sepse korrupsioni zvogëlon luftën kundër krimit të organizuar, dobëson moralin politik në vendimmarrje, drejtësinë e bënë joefikase, dëmton sektorin privat dhe investimet e huaj, prandaj duhet ta trajtojmë si një çështje publike, që ka nevojë për rregullim të posaçëm. 

Prokurori i Shtetit duhet të ketë rol thelbësorë në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe në hetimin e të gjithë indicjeve që bëhen shqetësuese për opinionin publik.

Me këto veprime do t’i japim sinjale të qarta të gjithë zyrtarëve shtetëror, që sa herë shkelin ligjet e këtij vendi do të përballen me procedurat e hetimit dhe do të dalin para gjykatës për t’iu nënshtruar procesit gjyqësor.

Rritja e efikasitetit dhe ndëshkimi i korrupsionit është një element shumë i rëndësishëm për vendin tonë dhe për procesin e integrimeve në familjen e madhe evropiane.

Poashtu, sfidë tjetër e sistemit prokurorial mbetet konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme, edhe përkundër faktit se nga viti 2015 kemi ngrirë dhe sekuestruar pasuri mbi 166 milionë euro, konfiskimi përfundimtar nga ana e gjykatave vazhdon të jetë larg shifrave të sekuestrimit dhe ngrirjes.

Nga kjo konferencë, ju bëj thirrje që rastet e konfiskimit të trajtohen me prioritet dhe profesionalizëm, pasi që çelësi i suksesit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë qëndron në konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme dhe në marrjen e fuqisë ekonomike të grupeve kriminale.

Me ketë krimin do ta bëjmë të pafrytshëm dhe individët që udhëheqin grupet kriminale do t’i dobësojmë dhe do t’i bëjmë të parëndësishëm, duke i margjinalizuar në shoqëri.

Sa i përket krimeve të luftës jemi të vetëdijshëm që prokuroria në këtë pjesë nuk ka arritur rezultate të kënaqshme në periudhat e mëparshme, mirëpo tashmë janë bërë hapa pozitivë në fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës, ku edhe janë trefishuar hetimet e këtyre rasteve.

Po ashtu, kemi hartuar Strategjinë për hetimin e krimeve të luftës, e cila parasheh që të eliminohen dobësitë evidente në këtë fushë. Përveç identifikimit të mangësive, të cilat janë duke u trajtuar me prioritet, njëkohësisht, janë duke u mbledhur edhe dëshmi dhe prova të cilat i identifikojnë urdhërdhënësit dhe kryerësit e këtyre veprave penale.

Gjatë vitit që lamë pas, një rëndësi të madhe i kemi kushtuar edhe mbrojtjes së viktimave të krimit.

Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ofruar ndihmë për 2073 raste të viktimave të të gjitha kategorive, përfshirë dhunën në familje, ngacmimet, dhunimet, sulmet seksuale, trafikimin e qenieve njerëzore dhe rasteve të tjera.

Janë bërë edhe 20 kërkesa për kompensim të viktimave ku shumica prej tyre janë aprovuar nga Ministria e Drejtësisë dhe disa të tjera tanimë janë në proces.

Mund të themi se viktimat e krimit ngadalë, por sigurt po i realizojnë të drejtat e tyre në përputhje me standardet evropiane dhe po marrin trajtimin e duhur nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Një moment shumë i rëndësishëm gjatë mandatit tim ka qenë edhe transferimi i gjithsej 974 dosjeve penale nga prokurorët e EULEX-it tek prokurorët vendor. Ne jemi shumë mirënjohës Misionit Evropian Për Sundim të Ligjit, për një strategji të drejtë dhe dinamike për bartjen e lëndëve dhe besimin e shprehur për institucionin e Prokurorit të Shtetit.

Prokurorit të Shtetit i janë bashkuar edhe 84 prokurorë të rinj gjatë mandatit tim, ku përfshihen edhe 14 prokurorë të komunitetit serb, të integruar me Marrëveshjen e Brukselit.

Në këtë mënyrë kemi bashkuar përvojën e të vjetërve dhe energjinë e të rinjve, si formulë të kontinuitetit.

Të nderuar të pranishëm,

Gjatë vitit të kaluar është folur shumë për reformat dhe vettingun në sistemin gjyqësor.

Jam i vetëdijshëm që është shumë populliste të flitet pro-vettingut, pasi që sistemi i drejtësisë është zona më e ndjeshme nga komentet e medias, shoqërisë civile dhe në disa raste edhe të politikës.

Reforma në drejtësi nuk mund të ndërtohet nëse injorohen interesat e përgjithshme, duke iu dhënë prioritet interesave politike dhe grupore.

Kushtetuta, ligji dhe institucionet nuk janë ndërtime provizore, por janë themel i një shoqërie të lirë dhe demokratike, të cilat duhet të respektohen nga të gjitha degët e pushtetit.

Nëse dëshirojmë të krijojmë një pushtet gjyqësor të pavarur, duhet ta forcojmë rolin e komisioneve pranë Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor në proceset e rekrutimit, avancimit, vlerësimit të performancës dhe disiplinimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke dëshmuar standarde të larta të transparencës. 

Komisionet e rekrutimit dhe avancimit në karrierë duhet të kenë qëllim promovimin e figurave që kanë treguar profesionalizëm dhe integritet në punën e tyre, vetëm atëherë do të kemi një prokurori më profesionale dhe më të respektuar e cila e lehtëson punën e gjykatave dhe ndikon në përmirësimin e politikës ndëshkimore për veprat e korrupsionit dhe veprat tjera penale.

Këto janë padyshim standardet që duhet të realizohen me çdo kusht brenda sistemit gjyqësor, e të cilat kanë karakter historik për shkak të pritshmërive që ka shoqëria nga sistemi i drejtësisë.

Të nderuar të pranishëm,

Institucioni i Prokurorit të Shtetit për disa muaj do të ketë një drejtues të ri, i cili duhet të marrë besimin jo vetëm nga institucionet e shtetit tonë, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Prandaj, ne duhet të vlerësojmë sensin e bashkëpunimit në rrugën e përbashkët për vendosjen e këtij procesi në mënyrë të drejtë, fer dhe transparente, të bazuar në vlerat e barazisë dhe meritokracisë.

Dua të besoj se kushdo që bëhet Kryeprokuror i ri i Shtetit do të jetë i gatshëm ta mbrojë nderin, autoritetin dhe pavarësinë e institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe të punojë në funksion të ligjit.

Gjatë këtyre viteve, institucioni i Prokurorit të Shtetit ka qenë unik, duke treguar forcë dhe vendosshmëri për t’u përballur me çdo situatë të krijuar.

Sistemi të cilin e kemi ndërtuar ka qenë i fortë për t’i bërë ballë çdo lëkundjeje që vinte nga kritikat e pajustifikuara të individëve që donin ta shihnin drejtësinë ashtu siç ata e kanë paramenduar.

Përderisa zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit e kemi pasur në rend të parë, nuk kemi shikuar prapa opinionet e pajustifikuara të cilat vinin me qëllime të caktuara.

Përkundër të gjitha sfidave, kam pasur privilegjin që të ushtroj funksionin e Kryeprokurorit të Shtetit ekskluzivisht i udhëhequr vetëm nga interesat e sistemit prokurorial dhe nga zbatimi i kompetencave kushtetuese dhe ligjore.

Ky rrugëtim do të ishte i pamundur pa mbështetjen e institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Jam thellësisht mirënjohës për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë përgjatë këtyre shtatë viteve; Ambasadës së SHBA-së, Zyrës së BE-së, EULEX-it, Ambasadës së Britanisë së Madhe, Holandës, Francës, Zvicrës, Italisë, por edhe organizatave ndërkombëtare si; USAID, UNDP, Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim si dhe GIZ-it gjerman.

Fakti që kemi mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë, veçmas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës na jep të drejtë për të besuar se edhe në të ardhmen bashkëpunimi ynë do të jep rezultate konkrete në forcimin e shtetit ligjor.

Në fund, dëshiroj të falënderoj të gjithë prokurorët e shtetit dhe bashkëpunëtorët tjerë që me punën e tyre i shërbyen drejtësisë.

Besoj se edhe në të ardhmen, Ju kolegë të nderuar, do të tregoni përkushtim më të madh, profesionalizëm, integritet dhe përgjegjësi në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore dhe se do të luani një rol më aktiv në drejtim të forcimit të pavarësisë, transparencës dhe llogaridhënies, në mënyrë që ta forconi besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Mirënjohje edhe një herë gjithë atyre që më mbështetën në këto shtatë vite të mandatit tim.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!

Prishtinë,

11 shkurt 2022