Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kërkesë për caktimin e paraburgimit për personat që sulmuan udhëheqësit e Kombinatit Trepça

Mitrovicë, 19 tetor 2021 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë  - Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin R.I., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Sulmi“ nga neni 184 paragrafi 1 i KPRK, ndërkaq për të dyshuarit B.S., B.I., Sh.R., dhe Z.I., për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1, dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit, duke qenë të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës mbi caktimin e drejtorit të ri në Kombinatin Trepça, nën udhëheqjen e ish-drejtorit R.I., punëtorët janë mbledhur dhe kanë protestuar, me ç‘rast i dyshuari - ish drejtori R.I., e ka sulmuar fizikisht drejtorin e ri E.A.

Ndërsa, të dyshuarit B.S., B.I., Sh.R., dhe Z.I., kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarit E.A., dhe B.H., të cilët kanë pësuar lëndime të lehta trupore, dhe po ashtu këta të dyshuar kanë sulmuar zyrtarët policorë që kanë ndërhyrë në këtë rast, me ç`rast zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Pesë të dyshuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit ditën e djeshme me datë 18 tetor dhe të njëjtit gjendet në ndalim 48 orësh.

Seanca për caktimin e paraburgimit për të ndaluarit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Me respekt,

Zyra për Komunikim Publik në ZKPSH

Prokuroria Themelore Mitrovicë