Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kërkohet paraburgim ndaj një personi për ndërprerje të palejuar të shtatzënisë dhe mos moslajmërim të veprës penale


Gjilan, 15 Tetor 2020  – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të dyshuarin A.G., në kohëzgjatje prej 48 orëve, pasi dyshohet të ketë kryer veprat penale ‘’Ndërprerja e palejuar e shtatzënisë’’ dhe ‘’Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

 

Ndaj tij, sot nga prokurori i rastit është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, nga Gjykata kompetente në Gjilan.

 

Ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari A.G., më 15 Shkurt 2020, në cilësinë e mjekut gjinekolog, në ordinancën e tij në Prishtinë, në kundërshtim me ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë, pa pëlqimin e të dëmtuarës së mitur, nën moshën 14 vjeçare dhe pa pëlqimin e prindit apo kujdestarit, ka ndërprerë shtatzëninë e të miturës, duke e dëmtuar rëndë shëndetin e saj.

 

Gjithashtu, i dyshuari me rastin e kontrollimit mjekësor gjinekologjik të të miturës, nuk e ka lajmëruar veprën penale të dhunimit, të cilën e ka zbuluar ushtrimit të detyrës së tij.

 

Gjithashtu, për këtë rast sipas kërkesës së prokurorisë dy persona gjenden nën masën e paraburgimit, pasi dyshohen se kanë dhunuar të miturën nën moshën 14 vjeçare, e cila më pas edhe ka abortuar. Po ashtu, në këtë rast është përfshirë edhe një mjek gjinekolog, i cili nuk kishte lajmëruar rastin atëherë kur e mitura ishte kontrolluar në ordinancën e tij.